Universiteti i Prishtinës dhe Ambasada Gjermane diskutojnë mundësi të reja partneriteti me universitetet gjermane dhe diasporën akademike
Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Shkëlqesia e tij Rainer Rudolph, gjatë një takimi në Rektorat ofroi ndihmën e tij për fuqizimin e mëtejmë të lidhjeve të UP-së me universitetet gjermane dhe diasporën akademike kosovare.
Gjatë takimit u fol për gjetjen e mundësive, interesave të dyanshëm dhe bashkëpunimit të UP-së me universitete të Gjermanisë dhe kompanitë të këtij shteti e ato globale në mënyrë që të lidhen edhe më fuqishëm studimet me tregun e punës. Gjithashtu u përmend shtimi i bashkëpunimit me institucione gjermane të arsimit të lartë në fushat si ato të menaxhimit shëndetësor dhe shëndetit të fëmijëve.
Diaspora akademike kosovare në Gjermani u vlerësua si një urë e rëndësishme lidhëse mes dy shteteve, kulturave dhe komuniteteve, ndërsa Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës dhe Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Fakultetin e Filologjisë u identifikuan si hapësira ku këto lidhje vazhdimisht kultivohen dhe thellohen.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Shkëlqesia e tij Rainer Rudolph, i shoqëruar nga udhëheqësja e kulturës, shtypit dhe informacionit në Ambasadën e Gjermanisë, znj. Catalina Heine, u prit nga rektori, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorët Majlinda Gjelaj e Adem Beha.
Mysafirët u informuan për rezultatet, sfidat dhe historinë e Universitetit të Prishtinës që është më i vjetri, më i madhi dhe më i suksesshmi universitet në Kosovë dhe i rendituri më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në botë.
Aktualisht Universiteti i Prishtinës ka të nënshkruara dhe në zbatim e sipër gjashtë memorandume mirëkuptimi me universitetet gjermane dhe 21 projekte të shkëmbimit të studentëve e profesorëve në kuadër te Erasmus+
Vitin e kaluar edhe ambasadori i atëhershëm i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde kishte vizituar UP-në po ashtu, transmeto UP, pasqyron helveticALforum.ch




