Me ftesë të Ministres Federale për Punë Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ka udhëtuar sot për në Vjenë, për të marrë pjesë në takimin ministror të formatit “Friends of the Western Balkans”.
Në njoftimin për media thuhet se takimi fokusohet në ruajtjen e çështjes së Ballkanit Perëndimor në agjendën politike të Bashkimit Evropian, në vlerësimin e gjendjes aktuale të procesit të zgjerimit, si dhe në diskutimin e mënyrave të reja për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, energjisë dhe sigurisë.
Po ashtu, pjesëmarrësit do të shkëmbejnë qëndrime për zbatimin e plotë të mekanizmit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë takim, Ministrja Gërvalla do të riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrim të plotë në Bashkimin Evropian dhe për një bashkëpunim rajonal që respekton sovranitetin dhe barazinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në përputhje me vlerat dhe orientimin euroatlantik të rajonit./BS




