Nga Sokol Paja
New York, 30 nëntor 2025 – Festivali i librit shqip “Albanian BookFest”, organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra përfundoi me sukses ngjarjen më të rëndësishme kulturore e letrare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Libri shqip si urë miqësie e komunikimi me lexuesin shqiptaro-amerikan, për dy ditë me radhë bashkoi dashamirës të librit, lexues, studiues, gazetarë, përkthyes, shkrimtarë e veprimtarë shqiptaro-amerikanë të cilët patën mundësinë jo vetëm që të aksesojnë letërsinë më të mirë shqiptare por edhe të njihen me shtëpitë botuese, botuesit më në zë në hapësirën shqiptare Bujar Hudhri e Frano Kulli, të njihen me ekspertizën e mendimin kritik rreth librit, botimeve e lexuesve prej ekspertëve më të mirë e gazetarëve që diskutuan në panele me publik pjesëmarrës aktiv e shumë të interesuar.
Në ditën e dytë të festivalit “Albanian BookFest” famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj në fjalën e hapjes u shpreh rreth rëndësisë së mbështetjes së letërsisë shqiptare dhe për të promovuar gjuhën tonë amtare. “Ne shqiptarët në mërgatë kemi një detyrë të shenjtë: ta mbështesim librin si mjet urëlidhës me kulturën, historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Letërsia shqipe është pasqyrim i shpirtit tonë si popull, një arkiv i gjallë që ruan kujtimet, mësimet dhe rrëfimet që na kanë mbajtë gjallë ndër shekuj. Në mënyrë të veçantë, letërsia jonë është e pasuruar nga autorët klerikë – priftërinj, fretër, e studiues të Kishës – të cilët jo vetëm kanë predikuar fenë, por kanë mbrojtur gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar në kohët më të vështira. Veprat e tyre teologjike, historike e letrare janë një thesar që ka ndihmuar të ruhet shqipja, të ngrihet vetëdija kombëtare në kohët më të vështira dhe të formohet kultura jonë e sotme” tha ndër të tjera Dom Pjetër Popaj.
Festivali i librit shqip krijoi një mjedis të shkëlqyer komunikativ e kulturor mes lexuesve, shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve dhe studiuesve të cilët themeluan një traditë të shkëlqyer për vitet që vijnë. Gazetari dhe diplomati Virgjil Kule në fjalën e tij theksoi se rënia e lexuesve të librit ka sjellë dekadencë morale, shoqërore dhe shpirtërore. “Rrjetet sociale të influencuar politikisht disinformojnë e turbollojnë njeriun. Humbja e terrenit të librit në raport me teknologjinë dhe rrjetet sociale, ka prodhuar një njeri që mendon me mendjen e tjetrit” saktësoi z.Kule. Në kushtet e një libri pa mesazhe specifike, z. Kule tha se shkrimtarët dhe shtëpitë botuese duhet të kërkojnë ndaj autorëve libra me vlera, teksa panairi i librit do të bëjë që të kemi më shumë lexues, shteti duhet të bëjë më shumë për të përkrahur botimet e reja e veçanërisht botimet cilësore.

Në përfundim të festivalit të librit “Albanian BookFest” Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra nderoi me “Mirënjohje” shtëpinë botuese “ONUFRI” me motivacion: “Për kontributin e jashtëzakonshëm nëmbështetjen dhe promovimin e letrave shqipe, duke botuar me standardet më të larta estetike korifenjtë e letërsisë sonë kombëtare. Përkushtimi juaj për të sjellë te lexuesi, në Tiranë dhe përtej oqeanit, veprat monumentale që përbëjnë palcën e identitetit tonë kulturor, meriton mirënjohjen e thellë të çdo shqiptari”.
Po ashtu Vatra nderoi me “Mirënjohje” Entin Botues “GJERGJ FISHTA” me motivacion: “Për kontributin e paçmuar në restaurimin e memories kombëtare dhe rikthimin në dritë të vlerave të anatemuara të kulturës shqiptare. Me një vizion të qartë atdhetar, nën drejtimin e z. Frano Kulli, ky ent botues ka pasuruar bibliotekën tonë me vepra dëshmuese dhe historike, duke shërbyer si gardian i identitetit dhe i traditës së shkëlqyer të letrave shqipe”.

Komisioni organizativ i përbërë nga Dr. Pashko Camaj, Dr. Paulin Marku e Sokol Paja organizuan festivalin e librit ” Albanian BookFest” 2025 dhe drejtuan mbarvajtjen e kësaj iniciative të ndërmarrë nga Federata Pan-shqiptare e Amerikës “Vatra”. Ky ishte vetëm fillimi. Mirë u takofshim në panairin e radhës, 2026. Federata Vatra falenderon në mënyrë të veçantë dhe shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit në festën e librit shqip si kontribut e përkushtim ndaj gjuhës, kulturës, letërsisë e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Gdielli




