Nga Dr. Bledar Kurti
Në Nenin 14 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet: Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes. Por, në zemrën e shqiptarëve, për shekuj me radhë, ka rrahur një simbol i vetëm… një shqiponjë e zezë me dy koka, e vendosur mbi një fushë të kuqe të ndezur. Flamuri shqiptar. Një flamur që ka udhëtuar nëpër kohë, midis betejave, pushtimeve, rilindjes dhe shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar.
Por rrënjët e simbolit tonë kuq e zi janë shumë më të thella sesa 1912-ta. Ato shkojnë deri në mesjetë, deri te epoka e Gjergj Kastriotit. Ndërkohë që shqiponja me dy koka është një simbol shumë më i hershëm si në kulturat e botës ashtu edhe 6 shekuj para Krishtit në trevat ilire, siç është shqiponja me dy koka e gjetur në mburojën e një luftëtari ilir.
Shqiponja ishte simbol i Perandorisë Romake. Alba. Me këtë emër romakët emëruan Skocinë dhe Shqipërinë. Me ardhjen e Kostantinit të Madh në fillim të shekullit të IV dhe ndarjen administrative të Perandorisë Romake në dy qendra, Roma dhe Kostandinopoja, Stambolli i sotëm, shqiponja me dy koka mori kuptimin e dy qendrave të pushtetit me një trup të vetëm, duke u përdorur më pas nga perandorë të Europës Lindore dhe Perëndimore. Por pa fushën e kuqe. Fusha e kuqe e flaktë është e mbetet shqiptare.
Flamuri i kuq me shqiponjën dykrenore u bë simbol i identitetit luftarak në shekullin XV kur Gjergj Kastrioti e ngriti mbi shtizat e ushtrisë së tij. Pikturat dhe kronikat e kohës përshkruajnë flamurin e Gjergj Kastriotit: një shqiponjë dykrenare e zezë, e stilizuar ndryshe nga ajo e sotmja, më e mprehtë në linja, më heraldike, shpesh e shoqëruar me elemente të tjerë si ylli ose helmetat e arta.
Në disa miniatura të kohës shihet flamuri i kuq i ushtrisë arbërore që valëvitej në kështjellat e Krujës, Petrelës e Lezhës. Krahasimi mes shqiponjës së Gjergj Kastriotit dhe asaj të flamurit të sotëm na tregon diçka të rëndësishme: simboli ka evoluar, por mesazhi ka mbetur i njëjtë. Në flamurin modern linjat janë më të rregullta, më simetrike dhe të standardizuara, ndërsa shqiponja e Heroit tonë Kombëtar ishte më e egër, më luftarake, më e lidhur me heraldikën e kohës. Megjithatë, të dyja mbajnë të njëjtin shpirt: krenarinë, qëndresën dhe identitetin shqiptar.
Në disa kodekse heraldike perëndimore shfaqen simbole të fisnikëve arbër, ku shqiponja dykrenare paraqitet si shenjë e familjeve të rëndësishme të Arbërisë. Këto burime tregojnë se Evropa mesjetare e njihte Shqipërinë si vend të princërve luftëtarë, të lidhur me simbolikën e shqiponjës. Në kronikat bizantine dhe ato veneciane të shekullit XIV e XV flamuri me shqiponjën dykrenare i atribuohet disa principatave shqiptare, çka tregon rrënjët e hershme të këtij simboli si shenjë e identitetit politik të Arbërisë.
Në artin mesjetar shqiptar, shqiponja shfaqet jo vetëm në flamujt e betejave, por edhe në stemat e familjeve të mëdha fisnike, në piktura kishtare, në objekte rituale e në mburoja. Në Kisha, në Onufrin e shekullit XVI, në afresket e Beratit dhe Gjirokastrës, motivi i shqiponjës gjendet i gdhendur me kujdes, si simbol i një populli që kërkonte të ruante identitetin e vet kulturor e politik.
Flamuri shqiptar dallohet qartë te disa kryevepra të artit evropian, si p.sh. kryevepra “Kryqëzimi” (1501) e mjeshtrit të Rilindjes italiane Michele da Verona. Në këtë tablo, flamuri ynë kuq e zi valëvitet i vetëm e krenar përbri Krishtit të kryqëzuar. Flamuri arbëror kuq e zi dallohet edhe në afreske të tjera mesjetare në Evropë.
Këto dëshmi artistike janë urat që lidhin flamurin e sotëm me të kaluarën. Ato tregojnë se, edhe në periudha të vështira pushtimi, simboli i shqiponjës nuk u zhduk. Ai vazhdoi të jetonte, fshehur në art, në veshje, në pajisje ceremoniale… duke pritur momentin e ringritjes.
Për më shumë se pesë shekuj flamuri ynë kuq e zi ka qenë në zemrën, traditën, historinë dhe ekzistencën e arbëreshëve, të cilët e kanë ruajtur të gjallë në çdo mjedis, veshje, e simbole në shtëpi, dyer, shkrime, etj.
Në shekullin XIX, me Rilindjen Kombëtare, flamuri i Gjergj Kastriotit u rikthye fuqishëm. Patriotët shqiptarë e përdorën si simbol të bashkimit. Në kolonitë shqiptare të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes dhe SHBA-së, flamuri i kuq me shqiponjën e zezë u bë shenjë identitare e lëvizjes për liri. Shoqëri si “Vatra”, “Drita”, “Lidhja e Prizrenit” e ngritën kudo.
�Edhe pse stilizimet ndryshonin paksa, ngjyrat dhe shqiponja dykrenore mbetën të pandryshuara. Kjo dëshmon se shqiptarët i ruajtën besnikërisht elementet themelore të flamurit të Gjergj Kastriotit, duke e bërë atë simbol të përbashkët kombëtar.
Dhe erdhi dita e shumëpritur: 28 nëntor 1912, Vlorë. Në një shtëpi dykatëshe, të bardhë, pranë detit, delegatët shqiptarë u mblodhën për të shpallur shtetin e pavarur. Ismail Qemali doli në ballkon dhe ngriti flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare. Ishte një çast solemn, i mbushur me emocion. Flamuri nuk ishte një krijim i ri. Ishte vazhdimësia e atij të Gjergj Kastriotit, e atij që jetoi në art, në legjenda dhe në zemrat e shqiptarëve përgjatë pesë shekujve pushtimi osman.
Në historinë e popullit shqiptar, pak simbole janë kaq të fuqishme dhe të përjetshme sa flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare. Ai ka udhëtuar përmes shekujve, nga koha e principatave arbërore, te epoka e Gjergj Kastriotit, te Rilindja Kombëtare dhe shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, duke u kthyer në një prej stemave më të lashta e më të njohura në Ballkanin mesjetar.
Ne duhet ta nderojmë flamurin tonë dhe të kujtojmë ata që sakrifikuan për të. Flamuri nuk është vetëm një simbol. Ai është kujtesa jonë kolektive. Ai përfaqëson gjakun, sakrificat dhe ëndrrat e mijëra shqiptarëve që luftuan në epoka të ndryshme. Ne kujtojmë e nderojmë luftëtarët e Gjergj Kastriotit që mbronin Arbërinë, kapedanët dhe heronjtë kundër pushtimeve, rilindasit që punuan për gjuhën, kulturën dhe identitetin, patriotët që ngritën flamurin në Vlorë, luftëtarët dhe martirët e Luftës së Kosovës dhe të gjithë ata që dhanë jetën për liri e dinjitet kombëtar.
Ne e nderojmë flamurin sepse është dëshmia se ky popull, përballë të gjitha stuhive historike, mbijetoi, qëndroi dhe ringrihet gjithmonë. Duke nderuar flamurin, ne nderojmë të rënët, kujtojmë sakrificat e tyre dhe ruajmë të gjallë amanetin që na lanë: të jemi të bashkuar, të lirë dhe krenarë për identitetin tonë.
Flamuri ynë kuq e zi nuk është vetëm një shenjë kombëtare. Ai është shpirt, gjak dhe histori e një kombi që nuk u përkul kurrë. /GD




