5 C
Zurich
Friday, November 28, 2025
spot_img
spot_img

Mediat dhe privatësia në Kosovë mes interesit publik dhe interesimit të lexuesit

Duhet ti lexosh

Në kohën kur mediat online janë në garë për publikim, në kohë reale, mediat profesionale dhe kredibile e ruajnë kodin etik dhe nuk shkelin privatësinë në raportime – edhe në raste të ndjeshme si aksidentet, vrasjet, vetëvrasjet apo lëndimet me mjete të mprehta.

Por, pikërisht në këtë garë për shpejtësi dhe klikime, shfaqet një rrezik i madh për vetë lirinë e medias e që është thyerja e privatësisë.

Kur media normalizon shkeljen e privatësisë, ajo nuk dëmton vetëm individin, por humb besimin, profesionalizmin dhe pavarësinë e vet.

Në epokën kur lajmet shpërndahen në çdo sekondë dhe çdo individ mund të shndërrohet në subjekt publik përmes një postimi, privatësia po bëhet një nga sfidat më serioze të gazetarisë moderne. Në Kosovë, ku liria e shprehjes ka qenë një arritje e rëndësishme pas luftës, respektimi i privatësisë shpesh shihet si jo profesionalizëm dhe jo si standard.

Roli i mediave në ruajtjen e privatësisë

Mediat janë jo vetëm bartëse të informacionit publik, por edhe përpunuese të të dhënave personale dhe verifikuese në të njëjtën kohë. Çdo publikim që përfshin emra, fytyra, imazhe ose detaje identifikuese bie nën përgjegjësinë e tyre ligjore dhe etike.

Kodi i Etikës i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) është i qartë.

“Shtypi duhet të shmangë ndërhyrjet në jetën private të individit, përveç kur ekziston interes publik i justifikuar.”

Kjo do të thotë se publikimi i informacioneve personale nga identiteti i viktimave deri te përmbajtjet nga rrjetet sociale duhet të kalojë testin e interesit publik, jo të interesit të lexuesit.

Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) vendosin kornizën ligjore që mbron qytetarët nga përpunimi dhe publikimi i paautorizuar i të dhënave të tyre. AIP nuk është organ mediatik, por institucioni që mbron qytetarët nga tejkalimi i kufijve të privatësisë, edhe kur ky tejkalim ndodh përmes raportimit mediatik.

Kjo agjenci ka paralajmëruar disa herë se publikimi i të dhënave personale është shkelje e rëndë, e dënueshme edhe me gjoba. Në shtator 2025, pas publikimeve të lidhura me një ngjarje tragjike në Pejë, ku një familje humbi një të afërm në aksident, AIP i bëri thirrje mediave për reflektim dhe respektim të privatësisë dhe të dhënave personale.

“Disa media kanë transmetuar pamje të ngjarjes dhe reagimet emocionale të familjarëve në momente dhimbjeje, me përmbajtje që cenojnë të drejtën për privatësi, dinjitetin njerëzor dhe parimet bazë të etikës gazetareske”, thuhej në njoftim.

Agjencia rikujtoi se të qenurit person publik nuk ia mohon askujt të drejtën për privatësi, sidomos në momente dhimbjeje personale dhe familjare, duke theksuar se publikimi i pamjeve të ndjeshme pa pëlqimin e familjes përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Publikimi i pamjeve të ndjeshme pa pëlqimin e familjes përbën shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhej në reagim.

Madje ky institucion ka kërkuar nga mediat që:

– Të ndalojnë menjëherë publikimin dhe shpërndarjen e materialeve që cenojnë privatësinë e familjes së prekur, pa pëlqimin e tyre;

– Të largojnë përmbajtjet ekzistuese që përmbajnë pamje të ngjarjes apo reagime të familjarëve, të publikuara pa pëlqimin e tyre.

– Agjencia për Informim dhe Privatësi ju bën thirrje mediave për respektimin e privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve, sidomos në momente dhimbjeje.

Roli i KMSHK dhe KPM

Në anën tjetër Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës e Komisioni i Pavarur për Media (KPM) janë institucione që mbulojnë mediat e shkruara (online) dhe audiovizive.

KMSHK, përmes Kodit të Etikës, ka shqyrtuar disa raste ku është konstatuar shkelje e privatësisë nga publikimi i fotografive të fëmijëve e deri tek ekspozimi i rasteve në tema të ndjeshme si aksidentet, vrasjet, vetëvrasjet etj, ku është konstatuar se ka pasur shkelje të privatësisë gjatë raportimit.

Madje, KMSHK, në shtator të këtij vitit sikurse AIP ka apeluar që raportimi për ngjarje tragjike të bëhet me kujdes, ndjeshmëri dhe profesionalizëm.

Në një komunikatë për media, Këshilli kishte deklaruar se vetëm kur ka interes të lartë publik, mediat duhet të raportojnë për raste të tilla, duke shmangur qasjen sensacionaliste.

“Kujdesi ndaj të prekurve nga tragjedia duhet të nënkuptojë mirëkuptim, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion,” thuhej në deklaratën e KMSHK-së.

Këshilli kërkoi që fotografitë, videot dhe incizimet e viktimave të aksidenteve, dhunës, veprave penale apo fatkeqësive natyrore të mos publikohen pa mbuluar identitetin ose trupin e tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët. Nuk ka interes publik në publikimin e emrave të fëmijëve të viktimave, në ekspozimin e fytyrave të qytetarëve në situata të ndjeshme apo në publikimin e dokumenteve private dhe të dhënave personale. Gazetaria etike nuk e sakrifikon profesionalizmin për interesimin e publikut.

Siç theksojnë AIP dhe KMSHK, “privatësia është e drejtë themelore”, dhe asnjë e drejtë për informim nuk e përjashton respektimin e saj.

Thyerja e privatësisë si kërcënim për median

Kur mediat hyjnë në territorin e privatësisë pa arsye dhe pa bazë, pasojat janë të dukshme e shohim reagime publike e me këtë degradohet integriteti profesional, dhe bien besimi dhe legjitimiteti publik. Një media që shkel privatësinë bëhet e cenueshme ligjërisht, profesionalisht dhe etikisht.

Në vend të raportimit të nxituar dhe sensacionalist, mediat së bashku me organizatat e shoqërisë civile, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, KMSHK dhe KPM duhet të investojnë në edukim për mbrojtjen e të dhënave personale, trajnime për etikën digjitale dhe krijimin e politikave të brendshme për privatësinë.

Privatësia nuk është luks, por standard profesional. Mediat që nuk e respektojnë rrezikojnë të humbin besueshmërinë dhe funksionin e tyre si mbrojtëse të interesit publik. Ruajtja e dinjitetit njerëzor është pjesë e së njëjtës mision me ruajtjen e lirisë së shprehjes. Dhe nëse gazetaria nuk e bën këtë, do ta bëjnë rregullatorët dhe gjykatat me masa dhe gjoba që në fund dëmtojnë më shumë median sesa subjektin e ekspozuar.

Ku fillon dhe mbaron interesi publik?

Kjo pyetje është thelbësore dhe shpesh ka debat e diskutim edhe mes profesionistësh..

Nuk ka interes publik në publikimin e emrave të fëmijëve të viktimave, në ekspozimin e fytyrave të qytetarëve në situata të ndjeshme, apo në publikimin e dokumenteve private e të dhënave personale.

Gazetaria etike nuk e sakrifikon profesionalizimin për “interesimin e publikut”.

Siç theksojnë AIP dhe KMSHK, “privatësia është e drejtë themelore”, dhe asnjë e drejtë për informim nuk e përjashton respektimin e saj.

Në vend të një raportimi të nxitë, që nuk respekton kodin e KMShK-së, mediat së bashku me organizatat e shoqërisë civile, me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, KMSHK e KPM duhet të investojë në edukim për mbrojtjen e të dhënave personale, trajnime për etikën digjitale dhe krijimin e politikave të brendshme për privatësinë.

Në një treg gjithnjë e më konkurrues, profesionalizmi bëhet dallueshmëria e vetme reale.

AIP mund të luajë një rol më aktiv duke krijuar komunikime më të shpeshta me mediat në bashkëpunim me KMSHK, KPM dhe AGK për të krijuar edhe manuale specifike.

Në anën tjetër në epokën digjitale, privatësia nuk është luks, por standard profesional. Mediat që nuk e respektojnë atë, rrezikojnë të humbin jo vetëm besueshmërinë, por edhe funksionin e tyre si mbrojtëse të interesit publik. Ruajtja e dinjitetit njerëzor është pjesë e së njëjtës mision me ruajtjen e lirisë së shprehjes.

Dhe nëse gazetaria nuk e bën këtë, do ta bëjnë rregullatorët e gjykatat me masa e gjoba që, në fund, do ta dëmtojnë më shumë vetë median. /Telegraf

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit