Përgatiti Dashnim HEBIBI
Komuniteti akademik shqiptar ka arsye për të festuar: ka dalë nga shtypi numri (1–2) i revistës shkencore “Logos-A”, një botim me potencial të jetë një referencë e rëndësishme në fushën e shkencave shoqërore dhe humane, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar. Revista synon të përhapë dijen, të nxisë kërkimin shkencor dhe të ofrojë një hapësirë reflektimi dhe debatimi akademik.
Gjatë një konference shkencore në Tetovë me organizim të Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art (Akademia), “Shqiptarët në Maqedoni: Jeta në mjediset rurale dhe urbane”, 25 tetor 2025, prof. dr. Ali Pajaziti përveç që prezentoi kumtesën e tij ai, në fillim, ndër të tjera dha edhe sihariqin e një produkti të ri akademik, revista „Logos-A“.

Prof. Dr. Ali Pajaziti
Ai theksoi edhe rëndësinë e vazhdimësisë në kërkim dhe botim shkencor:
“Shkenca është forcë, është pushtet. Ajo është iluminim i vetes dhe i komunitetit, është mënyrë e ndërtimit të shoqërisë mbi baza të dijes, të eksplorimit të dukurive në vetë ne, në natyrë dhe përtej. „Logos-A“ është një prurje e re në botën e zhurnaleve pas 30 e ca vitesh punë të fabrikës elitare dhe të madhe të librit shqip me të njëjtin emër“.
Një botim që pasqyron mendimin bashkëkohor dhe ndërdisiplinor
Numri i parë i revistës, që sipas Pajazitit, është ideuar qysh në vitin 2012, sjell një përzgjedhje artikujsh që trajtojnë çështje nga sociologjia, filozofia, historia, komunikimi, letërsia, identiteti kulturor dhe proceset shoqërore rajonale. Çdo punim, ku si autorë gjejmë figura relevante lokale dhe planetar në shkencë si S.H. Nasr, R. Cipriani, İ. Kalın, L. Ypi, F. Muhić etj. përfaqëson një këndvështrim unik, duke kontribuar në ndërtimin e një mozaiku të pasur teorik dhe kërkimor.
“Logos-A” synon të ruajë standardet e larta të botimit shkencor, përfshirë procesin e recensimit ndërkombëtar, të recensionimit të verbër (blind review), duke garantuar cilësinë dhe relevancën e artikujve sipas metodologjisë kërkimore shkencore.
Revista gjithashtu funksionon si një urë lidhëse mes studiuesve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, duke nxitur shkëmbimin e ideve dhe bashkëpunimin në projekte ndërdisiplinore që afiimojnë të vërtetën dhe vlerat akademike-universale.
Prof. Pajaziti – një energji e pandalshme në botën akademike
Si autor i dhjetëra librave dhe studiues me eksperiencë të gjerë, prof. dr. Ali Pajaziti mbetet një figurë shumë e rëndësishme në sociologji, studime kulturore dhe identitare. Ai vazhdon të jetë një nga shtyllat kyçe dhe frymëzuese të revistës “Logos-A”, duke promovuar etikën akademike, përkushtimin ndaj kërkimit dhe bashkëpunimin institucional.
Sipas tij, çdo botim i ri përbën një kontribut konkret në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të dijes, e cila nuk kufizohet vetëm brenda universiteteve, por shtrihet në të gjithë hapësirën publike dhe kulturore të shoqërisë planetare të infosferës.
“Çdo artikull i publikuar është një gur në themelin e zhvillimit intelektual të shoqërisë sonë të mileniumit të tretë, të shoqërisë informatike. ‘Logos-A’ mbetet e përkushtuar ndaj cilësisë, etikës dhe inovacionit në kërkim,” – theksoi ai.
Ftesë për studiuesit dhe të rinjtë në kërkim
Redaksia e revistës fton studiuesit, akademikët dhe kërkuesit e rinj të kontribuojnë me punimet e tyre për numrat e ardhshëm, duke ndihmuar në forcimin e bashkëpunimit shkencor dhe rritjen e prezencës akademike shqiptare në arenën ndërkombëtare. Revista synon të jetë një hapësirë dialogu, ku idetë dhe teoritë shkencore mund të diskutohen dhe pasurohen.
Qasje online për lexuesit
Numri i plotë (1–2) i revistës “Logos-A” është tashmë i disponueshëm online në:
https://academix.logos-a.com/
Me këtë botim, revista nuk është vetëm një referencë akademike e besueshme, por edhe një urë që lidh dijen shqiptare me rrjedhat ndërkombëtare të kërkimit shkencor, duke vazhduar të sjellë “nektarin në shkencë” – dijen që ushqen, pasuron dhe ndriçon mendjen. /SAM24.info
