Disa kantone në Zvicër po testojnë aktualisht kopshte pa lodra. Një eksperte shpjegon pse pikërisht mungesa e lodrave mund të nxisë zhvillimin e fëmijëve.
Në disa kantone të Zvicrës po testohet aktualisht koncepti i “kopshtit pa lodra”. Për një periudhë tre mujore hiqen nga dhoma e grupit të gjitha lodrat klasike si lego, kukulla apo makina. Në vend të tyre, fëmijëve u vihen në dispozicion batanije, kartonë, materiale natyrore dhe shumë hapësirë për mendim të lirë.
Qëllimi i projektit është të forcojë kompetencat jetësore të fëmijëve, si komunikimi, empatia, të menduarit kritik dhe zgjidhja e konflikteve. Projekti mbështetet, ndër të tjera, nga organizata për parandalimin e varësive në Aargau.
“As mërzia nuk është gjë e keqe”
Susanne Wasserfallen, eksperte nga kjo organizatë, shpjegon: “Kur lodrat si kukulla apo makina ‘shkohen me pushime’, krijohet më shumë hapësirë dhe kohë për krijimtari, eksplorim dhe mësim.”, transmeton 20min.ch.
Fëmijët vendosin vetë me çfarë të merren dhe shpesh vërehet se ata lulëzojnë nga idetë. Të tjerëve u duhet më shumë mbështetje. “Edhe mërzia mund të jetë pozitive”, thotë Wasserfallen – prej saj lindin shpesh idetë më kreative.
Kërkesa të larta për edukatorët
Koncepti kërkon shumë nga edukatorët. Ata duhet të vëzhgojnë me kujdes fëmijët dhe të ndërhyjnë vetëm kur është vërtet e nevojshme. E vetmja pjesë e drejtuar mbetet diskutimi i përditshëm në fund të ditës, ku flitet për përjetimet dhe ndjenjat. Edhe pushimi i vogël (znüni) është i lirë për t’u organizuar.
Shpesh prindërit shqetësohen se fëmijët mund të mërziten apo mos të jenë të stimuluar mjaftueshëm. Wasserfallen këshillon që të bisedojnë për këtë. Shumë prej këtyre frikave vijnë më shumë nga prindërit sesa nga vetë fëmijët. E rëndësishme është që prindërit t’u besojnë fëmijëve të tyre.
Më sfiduese për fëmijët neurodivergjentë
Sipas ekspertes, veçanërisht fëmijët më të vegjël përfitojnë shumë nga kjo periudhë pa lodra. Megjithatë, për disa – si fëmijët që perceptojnë ose ndjejnë ndryshe (të ashtuquajturit neurodivergjentë) – kjo mund të jetë më sfiduese. Për ta rekomandohet përgatitje e mirë dhe bashkëpunim mes prindërve dhe stafit.
Ky koncept nuk është ende pjesë zyrtare e planprogramit “Lehrplan 21”, por kantone si Aargau, Cyrih, Lucern dhe Solothurn e kanë përfshirë në praktikat e tyre. Suksesi, sipas Wasserfallen, varet nga angazhimi i edukatorëve. Ata duhet të jenë vetë të motivuar që ta zbatojnë këtë projekt.
Pas tre muajsh lodrat kthehen në kopsht. Disa fëmijë gëzohen, por të tjerë thonë se nuk kanë më nevojë për to, transmeton 20min.ch e përcjell sam24.info. (Foto ilustrim)
Përgaditi: D.HEBIBI
			
                                
			