Nga Dashnim Hebibi, Zürich
Tani është e qartë: Thirrja për një kandidat të vetëm shqiptar në Kërçovë është bërë e kotë – por ende sigurisht se ka kohë për bashkim.
Kërçova, në prag të një sfide vendimtare për shqiptarët – Uniteti është arma jonë e vetme
Më 19 tetor 2025, Kërçova do të përjetojë ndoshta zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e saj të re. Vetëm pak ditë na ndajnë nga dita kur qytetarët do të vendosin kush do ta drejtojë këtë komunë për katër vitet e ardhshme.
Ajo që dikur dukej si një garë normale lokale, tashmë është kthyer në një betejë për ruajtjen e drejtimit shqiptar të Kërçovës – simbol i bashkëjetesës, përpjekjes dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve në zemër të Maqedonisë së Veriut.
Tre kandidatë shqiptarë, një betejë që kërkon mençuri
Këtë herë, shqiptarët hyjnë në garë të ndarë.
Në Kërçovë janë zyrtarizuar këta kandidatë:
• Fatmir Dehari (BDI) – kryetar aktual i komunës, që kërkon mandatin e katërt, me përvojë të gjatë në menaxhimin e qytetit dhe reputacion të qëndrueshëm në ditët më të vështira për shqiptarët;
• Fatmir Limani (VLEN) – përfaqësues i koalicionit opozitar shqiptar, i njohur për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe kritikat ndaj qeverisjes aktuale;
• Shkodran Alili – kandidat i pavarur, i ri, i arsimuar, që kërkon mbështetje mbi baza qytetare dhe përtej strukturave partiake;
• Aleksandar Jovanovski (VMRO-DPMNE) – kandidati maqedonas me përkrahjen e plotë të dy partive maqedonase (VMRO dhe LSDM), me synimin për ta rikthyer Kërçovën në duar maqedonase.
Kjo ndarje e kampit shqiptar ka ndezur shqetësime të mëdha, si në qytet ashtu edhe në mërgim. Shqiptarët e Kërçovës, të cilët e fituan drejtimin e komunës me mund, sakrificë dhe bashkim, rrezikojnë tani ta humbin për shkak të garës së brendshme.
Kush e ka dëshmuar veten, meriton përkrahje
Në Kërçovë, Fatmir Dehari është ai emër që shumë qytetarë që i takuam në kë qytet e përmendin dhe për sam24.info e quajtën si simbol të qëndrueshmërisë dhe maturisë politike. Edhe dy të tjerërt janë bashkëvendas, por nuk do të duhej të jemi tre. Në politikë, ndonjëherë mjafton të shohësh pas për të kuptuar kush e ka mbajtur mbi supe përgjegjësinë në ditët më të vështira. Ata na thanë ndër të tjera, se edhe zyrja e kryetarit ëhtë kuq e zi dhe përmendet edhe te maqedonët. Që nga viti 2013, ai ka qenë në krye të komunës në tri mandate radhazi, duke udhëhequr me një frymë bashkëpunimi dhe duke ruajtur paqen ndëretnike në momente tensioni.

Gjatë qeverisjes së tij, Kërçova ka qenë një nga komunat me administratë të qëndrueshme, investime të prekshme në infrastrukturë, arsim dhe kulturë, dhe mbi të gjitha, me prani të denjë shqiptare në çdo institucion lokal, kështu kuptuam nga ata që i takuam. Por?
Sigurisht, askush nuk është i përsosur, dhe kritikat janë pjesë e demokracisë, por sot Kërçova nuk ka luksin të eksperimentojë. Në këtë fazë të ndjeshme, duhet përkrahur ai që e ka dëshmuar me vepra, jo vetëm me fjalë.
Është më patriotike të qëndrojmë pas përvojës, se sa të rrezikojmë me ndarje që mund të kushtojnë shumë, na thanë disa kërçovarë që i takuam në fillim të fushatës zgjedhore në qytetin e Kërçovës. A kanë mundur të bashkohen? Pyetje e pa përgjigje.
Diaspora kërçovare: “Të mos lejojmë ta humbim Kërçovën”
Në mërgatë, sidomos në Zvicër, SHBA, Gjermani e Austri, ku jetojnë mijëra kërçovarë, ndjenja e përgjegjësisë është e fortë. Në takimet e zhvilluara në Cyrih e Luzern, bashkatdhetarët kanë dërguar një mesazh të qartë:
“Ne e kthyem Kërçovën me bashkim. Mos e humbni me ndarje. Votoni për më të mirin, jo për inat. Kërçova është e jona, por vetëm nëse jemi bashkë.”
Ata e dinë më mirë se kushdo sa e vështirë ishte që Kërçova të fitohej në vitin 2013 dhe të mbahej në vitet që pasuan. Sot, me rënien e popullsisë shqiptare dhe me rritjen e mobilizimit të maqedonasve, çdo votë është jetike – sidomos ajo e diasporës, e cila në zgjedhjet e 2021-s bëri diferencën vendimtare për fitoren shqiptare.
Demografia nuk fal – vetëm uniteti e mbron Kërçovën !
Të dhënat e regjistrimit të vitit 2021 flasin qartë:
• Shqiptarë: 16,373 banorë (41.26%)
• Maqedonas: 16,020 banorë (40.38%)
Ky balancim demografik tregon se gara është shumë e ngushtë.
Nëse shqiptarët ndahen në tri pjesë, asnjëri nuk fiton – fiton tjetri. Dhe historia do të na gjykojë rëndë për këtë humbje të vetëprovokuar.
Kërçova nuk është vetëm një komunë; është simbol i përfaqësimit shqiptar në qendër të Maqedonisë së Veriut, një bastion që s’mund të lihet të bjerë për shkak të egove politike.
Apeli për bashkim dhe mençuri
Është koha që liderët shqiptarë në Kërçovë, por edhe më gjerë, të tregojnë pjekuri politike dhe kombëtare.
Në vend të përçarjeve dhe fjalëve të ashpra, të tregojnë gatishmëri për bashkëpunim.
Nëse bashkimi nuk ndodh zyrtarisht, të paktën le të ndodhë në zemrat e votuesve – që të votojnë me mendje të kthjellët dhe me synimin për ta ruajtur Kërçovën shqiptare.
Le ta mbështesim më të mirin i cili ka punë e përkushtim, jo me fjalë, dhe të qëndrojmë të bashkuar përpara sfidës së 19 tetorit. Nëse e humbim Kërçovën tani, do të jetë shumë më e vështirë ta rikthejmë nesër, na thanë disa kërçovarë që jetojnë e veprojnë në Cyrih e Luzern.
Mesazhi final
“Le të jemi bashkë si kur luan Shqipëria futboll, si në ditë të vështira por edhe në gëzimet si dhe në dasmat tona.
Kërçova na bashkon, mos lejoni që politika të na ndajë! Vetëm bashkë, e ruajmë Kërçovën tonë shqiptare.” Shtrëngoni dorën e vëllazërisë ! Le të fitojë më i miri! /SAM24.info
(Foto ilustrim)