Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka reaguar pas raportimeve se në komunat e Bujanocit dhe Preshevës, organet e rendit po evidentojnë qytetarë për shkak të festimeve pas fitores së Kombëtares së Shqipërisë ndaj Serbisë.
Në reagimin e tij publik, Rexhepi ka kërkuar nga institucionet policore që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos bien në “grackën e hakmarrjes institucionale”.
“Jam duke ndjekur me shqetësim informacionet se në Komunën e Bujanocit dhe të Preshevës, organet e rendit po evidentojnë apo shënojnë persona për shkak të festimeve pas fitores së Kombëtares së Shqipërisë ndaj Serbisë,” ka deklaruar Rexhepi.
Sipas tij, gëzimi për sukseset e Kombëtares është shprehje e identitetit dhe krenarisë kombëtare, dhe nuk përbën asnjë rrezik për rendin publik.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë të gëzohen për sukseset e Kombëtares së tyre kombëtare – një gëzim që nuk përbën asnjë rrezik për rendin publik, por është shprehje e identitetit dhe krenarisë kombëtare,” theksoi ai.
Rexhepi ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet kompetente që të garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive qytetare, duke siguruar që asnjë veprim policor të mos ketë prapavijë etnike apo politike.
Në fund, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar paralajmëroi se do ta ndjekë nga afër situatën:
“Do t’i monitoroj nga afër zhvillimet dhe do të reagoj në çdo rast të shkeljes së të drejtave të qytetarëve tanë.”