Nga Dashnim HEBIBI
Nesër në mbrëmje, në të shtunën e 11 tetorit, na pret një natë e gjatë, e zjarrtë dhe plot emocion.
Në fushën e Leskovcit – në një vend ku dikur frymonte shqip, ku gjurmët e historisë sonë janë ende të gjalla – Kombëtarja kuqezi do të dalë në fushë me flamurin e Skënderbeut në gjoks, përballë Serbisë.
Provokimet kanë nisur, si gjithmonë, nga ata që tremben nga forca e shpirtit tonë. Por shqiponja nuk trembet – ajo fluturon më lart sa herë që era fryn kundër saj.
Besojmë thellë se Federata Shqiptare e Futbollit, trajneri, djemtë tanë në fushë dhe i gjithë stafi do të kenë sytë e shqiponjës dhe forcën e lartësisë, që të na bëjnë edhe një herë krenarë, si vetëm ata dinë.
Le të mos na trondisin provokimet. Ata sigurisht se do të përpiqen me çdo mënyrë – me fjalë, me gjeste, me shpifje – që të na ndalin. Por shpirti kuqezi nuk ndalet.
Në çdo frymë të atij stadiumi, edhe pa flamurin tonë, do të ndjehet zemra e një kombi të tërë, që rreh bashkë me ta.
Sepse flamuri nuk është vetëm një copë pëlhurë – është gjaku, zemra dhe besa e një populli që nuk harron rrënjët e veta.
Le t’u tregojmë botës se ne jemi paqësorë, fisnikë dhe krenarë, se ne duam sport, garë të ndershme dhe fitore me dinjitet.
Por kur vjen momenti, ne dimë edhe të luftojmë – me pasion, me shpirt dhe me unitet.
Sepse në çdo goditje të topit, në çdo kros, në çdo përplasje për topin, aty është një pjesë e Shqipërisë.
Djemtë tanë e dinë çfarë përfaqësojnë. Ata nuk janë vetëm futbollistë – janë bij të një kombi që ka lindur për të mos u dorëzuar kurrë.
Ndaj, në këtë natë të madhe,
le të mbajmë të gjithë sytë nga qielli,
ku shqiponja jonë e dykrerë do të fluturojë sërish mbi Leskovc.
Dhe kur të përfundojë ndeshja,
paçim arsye të brohorasim me zemër plot:
Rroftë Shqipëria! Rroftë Kuq e Zinjtë tanë!