Intervistoi: Dashnim HEBIBI
9 Minuta me Dashnimin – Me Rafet Ademin, veprimtar dhe koleksionist i biçikletave në Zvicër
Për Luginën e Preshevës, fshati Tërnoc me plot të drejtë mund të llogaritet si “Shkodra e asaj etnie”. Ky fshat i njohur, i cili dikur konsiderohej fshati më i madh në ish-Jugosllavi, ka dhënë shumë personalitete të shquara kombit tonë – qoftë në shkencë, qoftë në bamirësi dhe në luftën për liri. Përveç kësaj, Tërnoci është i dalluar edhe në fushën e kulturës, duke mbajtur gjallë traditën, artin dhe identitetin shqiptar në ato treva.

Por një tjetër veçanti që e dallon këtë vend është edhe kultura e biçikletës. Në çdo rrugë e në çdo cep të fshatit, syri të has biçikleta që ngasin njerëz të të gjitha moshave. Të rinjtë, të moshuarit, madje edhe pleq mbi 80 vjeç, vazhdojnë ta përdorin biçikletën si mjet të përditshëm lëvizjeje. Ky fenomen i rrallë në krahasim me shumë vende të tjera, ka bërë që Tërnoci të përflitet prej kohësh si “Shkodra e Luginës së Preshevës”.
Biçikleta këtu nuk është vetëm mjet transporti; është kulturë, është traditë dhe është mënyrë jetese. Ajo përfaqëson lidhjen e njerëzve me thjeshtësinë, shëndetin dhe natyrën, duke e bërë Tërnocin një shembull unik në tërë rajonin.

Në rubrikën tashmë të njohur “9 Minuta me Dashnimin” sot kemi kënaqësinë të bisedojmë me një personalitet të veçantë, jo vetëm në Zvicër, por edhe në diasporën shqiptare në përgjithësi: Rafet Ademin.
I njohur për veprimtarinë e tij kombëtare dhe kulturore, Ademi është një nga themeluesit e disa shoqatave në Zvicër dhe ish-kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare në Fricktal. Ai jeton me familjen e tij në Eiken të kantonit Aargau, ku prej vitit 1978 ka ndërtuar një jetë të mbushur me aktivitete shoqërore, kulturore dhe kombëtare.

Me profesion teknik i makinerisë, sot në pension, Rafet Ademi njihet edhe për pasionin e tij të madh: biçikletën. Koleksioni i tij përfshin biçikleta të rralla zvicerane që datojnë nga viti 1928, 1941, 1943 e deri më sot. Çdo ditë përshkon dhjetëra kilometra me biçikletë, duke e konsideruar këtë jo vetëm sport, por edhe mënyrë jetese.
Le të zbulojmë më shumë për jetën, pasionet dhe mendimet e tij në këtë intervistë të ngrohtë e frymëzuese.
Z. Ademi, së pari ju përshëndes dhe ju falënderoj që jeni mysafiri ynë në rubrikën “9 Minuta me Dashnimin”. Ju njiheni si një veprimtar i dalluar i kauzës kombëtare. Si i kujtoni fillimet tuaja në Zvicër?

Rafet Ademi: Ju falënderoj shumë për ftesën! Në Zvicër jam që nga viti 1978. Fillimet nuk ishin të lehta, si për çdo mërgimtarë, por shpejt u bëra pjesë e aktiviteteve shoqërore e kulturore të bashkatdhetarëve. Kam qenë i përfshirë në themelimin e disa shoqatave dhe kam pasur nderin të drejtoj edhe Shoqatën Kulturore Shqiptare në Fricktal. Besoj se diaspora gjithmonë ka pasur një rol të madh në ruajtjen e identitetit dhe kulturës sonë.
Një pjesë e madhe e intervistës sonë lidhet me pasionin tuaj për biçikletat. Si lindi kjo dashuri?
Rafet Ademi: Dashuria për biçikletën ka nisur që në fëmijëri, në fshatin tim të lindjes, Tërnoc. Terreni i rrafshët atje ishte i përshtatshëm dhe biçikleta ishte mjet i pranishëm pothuajse në çdo familje. Babai im e kishte një biçikletë dhe unë që 5-vjeç nisa të vozisja.

Po gjinia femërore ka përdorur biçikleta në ate kohë?
Megjithëse ato kohë mentaliteti nuk e lejonte që gratë të ngisnin biçikleta, për ne fëmijët ishte kënaqësi e madhe. Ishin kohëra krejt të tjera. Edhe sot nuk sheh femra që kanë biçikleta, as në qytete të mëdha në atdheun tonë, janë shumë të rralla. E në evropë është krejtësisht tjetër situatë.
Je rrëzuar ndoj here?
Sigurisht, jam rrëzuar disa herë, por fatmirësisht pa ndonjë lëndim serioz. Biçikleta është e mirë, por natyrisht duhet të kesh kujdes sepse munden lëndimet të jenë shumë të rënda.
Tërnoci shpesh përmendet si “Shkodra e Luginës së Preshevës” për shkak edhe të kulturës së biçikletës. Si e shpjegoni këtë?

Është e vërtetë. Tërncoi është i njohur për trima, shkencëtarë, bëmirës e atdhetarë. Në Tërnoc biçikleta ishte mjet transporti i domosdoshëm, sidomos sepse Bujanoci ishte afër dhe shumë njerëz punonin atje. Edhe sot, në Tërnoc shikon të moshuar edhe mbi 80 vjeç duke ecur me biçikletë, gjë që është e rrallë në shumë vende të tjera. Në disa qytete, madje, nëse një plak ngiste biçikletë, e përqeshnin. Kjo tregon dallimin në mentalitet. Ne duhet ta përdorim më shumë biçikletën, sepse është shumë e shëndetshme dhe praktike.
Po sot, si duket një ditë e juaja në Zvicër? Sa vend zë biçikleta në jetën tuaj?
Rafet Ademi: Biçikleta për mua është mbi veturën. Çdo ditë eci rreth 30 kilometra me biçikletë këtu në kantonin Aargau. Kam disa biçikleta në koleksionin tim, disa shumë të rralla. Për mua, biçikleta është liri, shëndet dhe jetë. Nuk është si palestra që të mbyll në një dhomë – me biçikletë je gjithmonë në natyrë.
Përveç biçikletave, dimë që keni edhe hobi të tjera. Mund të na tregoni diçka më shumë?
Rafet Ademi: Po, përveç biçikletës merrem edhe me filatelinë – mbledhjen e pullave postare, që është një pasion i vjetër. Herë pas here merrem edhe me art, vizatoj peizazhe që më frymëzojnë nga vendlindja apo nga Zvicra. Dhe sigurisht, leximi është pjesë e pandashme e jetës sime. Nuk kalon muaj pa lexuar një libër. Besoj se libri është shëndet për mendjen, ndërsa biçikleta është shëndet për trupin – një kombinim ideal për një jetë të shëndetshme.

Ju jeni edhe iniciues i aktivitetit “Tour de Lugina”. Si lindi kjo nismë dhe çfarë simbolizon ajo?
Rafet Ademi: “Tour de Lugina” lindi nga dëshira për të bashkuar të rinjtë dhe të moshuarit në një aktivitet sportiv dhe kombëtar. Çdo 1 gusht ne përshkojmë me biçikleta fshatrat e Luginës së Preshevës deri në qytetin e Preshevës. Është një simbol i bashkimit, i shëndetit dhe i kujdesit për traditën. Ky aktivitet mbështetet edhe nga Komuna e Bujanocit dhe ka fituar zemrat e shumë pjesëmarrësve.
Kështu përfundon kjo bisedë e ngrohtë me Rafet Ademin – një personalitet që ka lënë gjurmë jo vetëm në jetën kulturore e kombëtare të mërgatës shqiptare në Zvicër, por edhe si një shembull frymëzues i pasionit për biçikletën, artin dhe librin. Jeta e tij është një dëshmi se aktiviteti fizik dhe mendor, i kombinuar me dashurinë për kulturën dhe natyrën, sjell një jetë më të shëndetshme dhe më kuptimplote.

Faleminderit, Z. Ademi, që ishit pjesë e rubrikës sonë “9 Minuta me Dashnimin”. Urojmë të vazhdoni të frymëzoni me pasionin dhe shembullin tuaj!