Siguria e Evropës dhe mbështetja ndaj Ukrainës ishin çështjet kryesore që u fokusuan liderët evropianë gjatë dy ditëve në Kopenhagë për Samitin e 7-të të Komunitetit Politik Evropian.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri thirrje ndaj Komisionit Evropian për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Evropa duhet të angazhohet për një plan për sigurinë.
“Besoj se një nga sfidat më të mëdha në Evropë është fakti që Evropa nuk e ka planin e vet të paqes dhe mbështetet te të tjerët. Kur Evropa të ketë planin e saj, do të jetë më e mbrojtur dhe më e sigurt”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për negociatat e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Shqipëria nuk po pret, por po vrapon shumë shpejt për përmbushjen e detyrave.
“Ne nuk po presim. Ne po vrapojmë shumë shpejt. Do të jemi gati dhe ju takon të mëdhenjve në sallë të mos presin më, por të na përqafojnë dhe të na mirëpresin, sepse do të jemi një vlerë e madhe e shtuar për BE,” deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se “Diella” po punon për transferimin e legjislacionit të BE-së në legjislacionin tonë.
“Kjo është diçka e re dhe, si çdo gjë e re, përballet me kritika, gjë që është e mirë. Por ka nisur si një asistente virtuale për shërbime publike dhe punon për transferimin e legjislacionit të BE-së në legjislacionin tonë,” u shpreh ai.
Liderët e Unionit Evropian dhe vendeve anëtare që kanë nisur procesin e negociatave, prej dy ditësh diskutojnë në Kopenhagë mbi rrugën dhe mjetet financiare për të rritur kapacitetet e mbrojtjes.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ftoi Unionin të sigurojë mbështetje logjistike për vendin e tij, që po përballet prej katër vitesh me agresionin rus. Pjesë e planit është edhe përdorimi i aseteve të bllokuara ruse në Evropë për të siguruar mjetet financiare për rindërtimin e Ukrainës. /Denada Shkodrani, transmeton rtsh.