Në Portin e Sarandës mbërriti sot kruaziera amerikane “SilverSea”, një anije e kapacitetit të mesëm me rreth 400 turistë nga SHBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia. Anija erdhi nga Korfuzi, ndërsa vizitorët shijuan disa prej atraksioneve më të njohura të zonës, si Kalanë e Lëkurësit, Syrin e Kaltër dhe Parkun Antik të Butrintit.Kjo është vizita e dytë e “SilverSea” në Sarandë, pas ndalesës së parë në muajin korrik.
“Kjo është një anije e mesme me diku tek 400 persona. Kjo anije ka qenë edhe para dy muajve në Portin e Sarandës. Sot erdhi në orën 9 të mëngjesit dhe pasagjerët zbritën të organizuar nga kompanitë turistike. Shumica e turistëve janë amerikanë, kanadezë britanikë dhe australian”, tha operatori turistik, Enkelejd Proda.
Anija do të vijojë udhëtimin e saj në Mesdhe, me destinacionin e radhës Kroacinë. Sipas burimeve portuale, kjo është kruaziera e fundit për muajin shtator, por pritet që lëvizja e anijeve turistike të vazhdojë edhe në tetor e nëntor.
Kruaziera e sotme e çon në 25 numrin e anijeve turistike të mbërritura deri tani në Sarandë. Nga janari deri në shtator është shënuar një rritje e dukshme e fluksit të turistëve, me 21.5% më shumë pasagjerë dhe një rritje edhe më të lartë për mjetet, në masën 47.5%, krahasuar me një vit më parë.
Sezoni i këtij viti do të mbyllet më 22 dhjetor, me ardhjen e kruazierës së fundit për 2025, periudha më e gjatë turistike deri më sot për portin e Sarandës, transmeton rtsh.