Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të dielën se ekziston “një mundësi reale për diçka të madhe në Lindjen e Mesme”, pa dhënë detaje të hollësishme, disa ditë pasi kishte njoftuar se është afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.
“Ka një mundësi të vërtetë për diçka të jashtëzakonshme në Lindjen e Mesme. Të gjithë janë gati për një hap të madh, për herë të parë. Do ta arrijmë,” shkroi Trump në një postim në platformën Truth Social.
Para nisjes për në turneun e golfit Ryder Cup në Nju Jork, ai u shpreh për gazetarët:
“Mendoj se jemi shumë pranë një marrëveshjeje për Gazën. Duket se e kemi një marrëveshje që do të sjellë kthimin e pengjeve, do të ndalë luftën dhe do të sjellë paqe. Mendoj se do të realizohet,” tha ai.
Ndërkohë, SHBA kanë propozuar një plan paqeje me 21 pika për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, një iniciativë që synon të përfshijë edhe vendet kryesore të rajonit. Sipas të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Whitkoff, propozimi i është paraqitur zyrtarëve nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Egjipti, Jordania, Turqia, Indonezia dhe Pakistani, transmeton panorama.