Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në New York, është takuar me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, me të cilin ka biseduar mbi rëndësinë jetike të aleancës me SHBA, në stabilitetin rajonal dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
“Pas një bisede telefonike përmbajtësore të zhvilluar ditë më parë, u takova në New York me z. Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit. Ritheksova rëndësinë jetike të aleancës me SHBA-të, e cila është themel i sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe rrugës sonë drejt integrimit euroatlantik“, shkroi Osmani në rrjetet sociale.
Presidentja shtoi se mbetet e përkushtuar ta mbrojë dhe ta forcojë këtë miqësi të ndërtuar mbi besim dhe bashkëpunim reciprok.
Gjatë vizitës në New York, Osmani është takuar edhe me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge, si dhe me diasporën në SHBA.
Vizita e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në New York vjen pas pezullimit të dialogut strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, të shpallur dy javë më parë nga Ambasada Amerikane.
Vizita e Osmanit ka për qëllim të adresojë këtë situatë dhe të ripërtërijë angazhimin e Kosovës për bashkëpunim me SHBA-në dhe aleatët ndërkombëtarë, transmeton rtsh.