Kanceri i apendiksit është një gjendje që deri para pak kohësh ishte aq e rrallë, saqë shumica e njerëzve, madje edhe mjekëve, kurrë nuk e merrnin parasysh
Për dekada të tëra, ishte një sëmundje me të cilën mjekët mund të përballeshin vetëm një ose dy herë gjatë gjithë karrierës, dhe pothuajse gjithmonë te personat e moshuar.
Por tani është shfaqur një trend i papritur dhe shqetësues: kanceri i apendiksit (zorrës së verbër), po diagnostikohet gjithnjë e më shpesh dhe po prek një numër në rritje të njerëzve në të 30-at, 40-at, madje edhe më të rinj. Ky ndryshim i ka habitur shumë ekspertë dhe i ka lënë në kërkim të përgjigjeve.
Çfarë është apendiksi dhe si lidhet me kancerin?
Apendiksi është një qese e vogël në formë gishti e bashkangjitur me zorrën e trashë. Roli i tij në trup mbetet ende subjekt debatesh, por është më së shumti i njohur për apendicitin, një inflamacion i dhimbshëm që shpesh kërkon ndërhyrje kirurgjikale urgjente. Më pak e ditur është se në apendiks mund të zhvillohet kancer, zakonisht pa dhënë asnjë shenjë paralajmëruese.
Një studim i ri i publikuar në revistën “Annals of Internal Medicine” ka treguar se numri i rasteve me kancer të apendiksit është rritur ndjeshëm tek njerëzit e lindur pas viteve 1970. Në fakt, incidenca është trefishuar, madje katërfishuar te gjeneratat e reja, krahasuar me ata të lindur në vitet 1940.
Edhe pse shifrat absolute mbeten të ulëta (kanceri i apendiksit prek vetëm disa persona në një milion çdo vit), rritja e shpejtë është tronditëse. Më shqetësues është fakti se rreth një në tre raste tashmë shfaqet te të rriturit nën moshën 50 vjeç, përqindje shumë më e lartë sesa në lloje të tjera të kancerit gastrointestinal, shkruan ScienceAlert, përcjell telegrafi.
Pse po ndodh kjo rritje?
Askush nuk e di me siguri, por një nga të dyshuarit kryesorë është ndryshimi i madh në stilin e jetesës dhe mjedisin gjatë dekadave të fundit.
Obeziteti është rritur ndjeshëm që nga vitet 1970, dhe pesha e tepërt është faktor i njohur rreziku për shumë lloje kanceri, përfshirë ata të sistemit tretës.
Ushqyerja është zhvendosur drejt ushqimeve të përpunuara, pijeve të ëmbëlsuara dhe mishit të kuq ose të përpunuar, të gjitha të lidhura me rritjen e rrezikut për kancer në pjesë të tjera të zorrëve.
Aktiviteti fizik është ulur, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz kalojnë orë të gjata ulur në tavolina apo para ekraneve.
Një tjetër mundësi është ekspozimi ndaj faktorëve të rinj mjedisorë që gjeneratat e mëparshme nuk i kanë përjetuar: industrializimi i prodhimit të ushqimit, përdorimi masiv i plastikës dhe kimikateve, si dhe ndryshimet në cilësinë e ujit mund të luajnë një rol. Megjithatë, provat ende janë në faza të hershme.
Pse është kaq i vështirë për t’u zbuluar?
Ajo që e bën kancerin e apendiksit veçanërisht sfidues është fakti se është shumë i vështirë për t’u diagnostikuar.
Ndryshe nga kanceri i zorrës së trashë, i cili ndonjëherë mund të zbulohet herët përmes kolonoskopisë, kanceri i apendiksit shpesh kalon pa u vënë re.
Simptomat, nëse shfaqen, janë të paqarta dhe shpesh të lehta për t’u neglizhuar: dhimbje të lehta abdominale, fryrje apo ndryshime në zakonet e jashtëqitjes, simptoma të zakonshme edhe për gjendje beninje.