Rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjitha bota janë mbledhur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale për të protestuar në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Para protestueseve performoi edhe Arif Vladi, duke i emocionuar me këngë atdhetare.
Bosch: I kam thënë Thaçit “do të lirohesh, nuk ka prova”
Ish-ambasadori holandez në Kosovë Robert Bosch, i është drejtuar pjesëmarrësve në protestën kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Bosch kujtoi kohën kur shërbeu në Kosovë, pikërisht edhe kur u formua Gjykata Speciale.
Ai foli rreth një bisede që pati asokohe me ish-kryeministrin Hashim Thaçi.
Bosch i kujtohet t’i ketë thënë Thaçit se nuk duhet të jetë i shqetësuar.
“Sepse unë i thashë se nëse do të jetë një gjykatë e drejtë t’i do të lirohesh, për shkak se nuk ka prova”, deklaroi Bosch para pjesëmarrësve.
Hysni Gucati në Hagë: “UÇK nuk lindi nga urrejtja, por nga padrejtësia”
Para mijëra qytetarëve nga Kosova dhe diaspora shqiptare, të mbledhur sot në Hagë për të protestuar në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, nisi fjalimin e tij me thirrjet “UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi”.
Ish i burgosuri i Gjykatës Speciale tha se kjo protestë është zë i dinjitetit të popullit shqiptar dhe i historisë së shenjtë të UÇK-së, që sipas tij po tentohet të nëpërkëmbet.
“UÇK nuk lindi nga urrejtja por nga padrejtësia”, theksoi Gucati.
Ai kujtoi se liria nuk ishte dhuratë, por sakrificë e djemve dhe vajzave që ranë për flamur e tokë. “Jemi pasardhësit e një ushtrie që nuk u përkul as përpara tenkave dhe as përpara helikopterëve serb. Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik, bota demokratike nuk mund t’i mbyllë sytë para një padrejtësie kaq të madhe”, u shpreh ai.
Gucati gjithashtu i bëri thirrje që çlirimtarët të mos trajtohen si kriminelë, por si njerëz që luftuan për liri dhe dinjitet.
Koci: Mjaft më me padrejtësi
Në protestën masive që po mbahet sot në Hagë, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një nga bashkorganizatorët e tubimit, Fatmir Koci, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm para mijëra protestuesve.
Ai tha se qindra mijëra shqiptarë janë mbledhur për të ngritur zërin kundër padrejtësive që, sipas tij, po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.
“Sot jemi mbledhur për të ngritur zërin tonë, për të thënë mjaft më me padrejtësi. Po ju pyes para të gjithë Evropës, para gjithë botës, a ishim ne agresori? A e sulmuam ne në tokën e vet? Apo luftuan në shtëpitë tona? A kërkuam territore? Apo kërkuam liri?”, deklaroi Koci.
Ai theksoi se populli i Kosovës nuk ishte agresor, por një popull që luftoi për liri dhe dinjitet.
“Ne po përballemi me një padrejtësi të pafalshme, që po shkatërron jetën e njerëzve që sakrifikuan gjithçka për ne”, shtoi tutje ai, duke marrë duartrokitje nga pjesëmarrësit.
Me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe atij të Kosovës ka nisur sot protesta në Hagë.
Mijëra shqiptarë nga mbarë bota janë mbledhur në parkun pranë muzeut Madurodam, afër Gjykatës Speciale, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët tash e pesë vjet po mbahen në paraburgim.
Protesta, e organizuar nga mërgata shqiptare dhe e mbështetur fuqishëm nga veteranët e luftës së UÇK-së, është shndërruar në një manifestim masiv kombëtar.
Atmosfera në Hagë është mbushur me flamuj kuq e zi dhe simbolika të UÇK-së, duke dëshmuar unitetin dhe vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur dinjitetin dhe për të kërkuar lirinë e plotë të drejtësisë, transmeton telegrafi.