Vatra, lutje e përshpirtshmëri për shqiptaro-amerikanët që humbën jetën gjatë sulmit terrorist më 11 shtator 2001
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, gazeta “Dielli” mbarë vatranët e shqiptaro-amerikanët përkujtojnë me lutje, nderim e respekt bashkatdhetarët tanë Simon Dedvukaj, Rrok Camaj dhe Mon Gjonbalaj që humbën jetën tragjikisht në sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001. Në këtë ditë trishtimi e dhimbjeje, “Vatra” përkujton me përshpirtshmëri viktimat e familjet e tyre dhe lutet që shpirtrat e tyre të jetojnë përgjithmonë në mbretërinë e qiellit.
Vepra dhe sakrifica e tyre nuk do të harrohet kurrë dhe do të jetë një përkujtim i gjallë në jetën tonë. 24 vite më parë bota ndryshoi rrënjësisht. Terrori dhe e keqja sulmoi paqen, qytetërimin dhe lirinë. Çdo jetë e humbur përfaqësoi jo vetëm një shpirt, por një histori, një sakrificë, një ëndërr, një dëshirë, një liri, një dashuri.
E keqja do të mundet gjithmonë.
Amerika nuk do të gjunjëzohet kurrë.
Në lutje dhe pranë jush
Me respekt
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha