Sot, ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, dr. Martin Berishaj, i cili njëkohësisht mbulon edhe Bosnjën dhe Hercegovinën në mënyrë jorezidente, zhvilloi një takim pune me anëtarin e Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, z. Željko Komšić.
Në qendër të diskutimit ishte situata e fundit politike në Bosnje dhe Hercegovinë, me theks të veçantë në zhvillimet që pasuan pas vendimit të Departamentit të Apelit të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili ka refuzuar ankesën e Milorad Dodikut ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Ky vendim i ka hequr atij mandatin e presidentit të entitetit Republika Srpska, duke detyruar KQZ-në të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Ambasadori Berishaj dhe z. Komšić shkëmbyen mendime mbi pasojat e këtij zhvillimi për stabilitetin institucional, funksionalitetin e shtetit dhe perspektivën evropiane të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ambasadori theksoi mbështetjen e palëkundur të Kosovës për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal si garanci për paqe dhe siguri të qëndrueshme.
Takimi u zhvillua në frymë të mirëkuptimit dhe partneritetit, duke konfirmuar gatishmërinë e përbashkët për thellimin e dialogut dhe përpjekjeve për stabilitet afatgjatë në rajon. / Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb
SAM24.info