241 mijë pasagjerë janë regjistruar në Portin e Durrësit në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Drejtori ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari, tha se rritje kanë shënuar edhe hyrje-daljet e pasagjerëve të huaj, si dhe automjetet.
“Ky trend rritës reflekton interesin e shtuar të vizitorëve dhe turistëve, sidomos në nisje të sezonit veror. Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i preferuar në Mesdhe”, tha Bajraktari.
Në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera që operojnë në port, janë marrë të gjitha masat për pritjen e një numri më të madh pasagjerësh, i cili shënohet zakonisht çdo fillim gushti.
“Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat e nevojshme. Si ccdo fillim sezoni, Autoriteti Portual miraton një plan masash që përfshin edhe agjencitë private dhe shtetërore që veprojnë në territorin e Portit të Durrësit”, theksoi ai.
Porti i Durrësit është porta më e madhe e vendit që lidhet me Italinë, dhe në një vit numri i pasagjerëve që hyjnë dhe dalin nga ky port shkon afro 500 mijë, transmeton gtema.