Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Bernë
“Komuniteti shqiptar në Zvicër duhet fillimisht të çlirohet nga instrumentalizimi politik, si në Zvicër ashtu edhe nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë. Së dyti, unë shoh potencial konkret në bashkëpunimin ndërshtetëror për të krijuar shtëpi për të moshuarit shqiptarë që dëshirojnë të kthehen për pleqëri në Kosovë”, na tha ndë të tjera z.Rashiti.
Në një kohë kur roli i diasporës shqiptare në Zvicër është gjithnjë e më i rëndësishëm, zëri i përfaqësuesve të saj në institucionet zvicerane po bëhet gjithnjë e më i dëgjuar. Njëri prej tyre është Korab Rashiti, deputet kantonal në Bern – kryeqytetin e Zvicrës – dhe një nga figurat më premtuese të politikës zvicerane me prejardhje shqiptare. Me një qasje të qartë ideologjike, një diskurs të matur dhe një përkushtim të palëkundur ndaj komunitetit, z. Rashiti sjell një perspektivë të re në debatet publike dhe ofron një analizë të thellë mbi sfidat dhe potencialin e mërgatës shqiptare. Në këtë intervistë ekskluzive, ai flet hapur për përvojën e tij në politikë, rolin e komunitetit shqiptar në Zvicër, nevojën për organizim të mirëfilltë dhe sfidat që vijnë nga instrumentalizimi politik i diasporës.
Intervistë me Korab Rashitin – Deputet kantonal në Bern, Zvicër
Ju jeni deputet kantonal në kryeqytetin e Zvicrës, në Bern. Si u pritët nga partia juaj dhe deputetët e tjerë?
Emërimi im si deputet i Kantonit të Bernës nën radhët e SVP-së (UDC) u prit me befasi nga publiku, në veçanti nga komuniteti shqiptar. Megjithatë, brenda vetë partisë sime dhe tek partitë e djathta në përgjithësi, jam pritur shumë mirë. Ka pasur një simpati të natyrshme ndaj qëndrimeve të mia si përfaqësues i linjës klasike liberale.

Ne shqiptarët jetojmë dhe kontribuojmë në Zvicër, e cila për shumë prej nesh është bërë atdheu i dytë. Ju keni kontakte me personalitete të larta të partisë suaj – cila është përshtypja e tyre për komunitetin shqiptar?
Komuniteti shqiptar në Zvicër, në shumicën e rasteve, jo vetëm që është integruar me sukses në shoqërinë zvicerane, por në disa raste ka kaluar edhe në fazën e asimilimit. Tek udhëheqësit e SVP-së, shqiptarët perceptohen si punëtorë, sipërmarrës dhe njerëz me vlera konservatore, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me familjen. Përgjithësisht, imazhi i komunitetit është shumë pozitiv, përjashtuar disa raste individuale që lidhen me keqpërdorime sociale apo ekstremizëm fetar.
A trajtoni edhe tema që lidhen me shqiptarët që veprojnë në Zvicër gjatë punës suaj si deputet?
Jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Fatkeqësisht, komuniteti shqiptar ende nuk e ka institucionalizuar përfaqësimin e vet politik nëpërmjet shoqatave që dërgojnë përfaqësues në parlamentet kantonale apo federale. Në këtë aspekt, diaspora ka ende një rrugë për të bërë. Për pjesën time, kam iniciuar një projekt për të shpallur një ditë përkujtimore për viktimat e regjimeve totalitare dhe gjenocidale, ku përfshihen edhe shqiptarët që kanë vuajtur nën sisteme të tilla si në Shqipëri apo Kosovë.

Kur mendoni se do të kemi një deputet shqiptar në Parlamentin Nacional të Zvicrës?
Për momentin, më duket pak e mundur që të kemi një deputet shqiptar në Parlamentin Kombëtar të Zvicrës. Kjo për faktin se diaspora, përmes strukturave të saj shoqërore, ende nuk e sheh të nevojshme përfaqësimin e vet politik në atë nivel. Do të doja të theksoja se diaspora duhet të jetë e vëmendshme që të mos keqpërdoret në zgjedhje për interesa të politikanëve që nuk kanë lidhje reale me nevojat e saj.
Ju jeni i përkushtuar dhe veproni me maturi. Sipas jush, çfarë i duhet komunitetit tonë në Zvicër dhe si mund të ndihmohen më mirë nga shtetet tona, Kosova dhe Shqipëria?
Komuniteti shqiptar në Zvicër duhet fillimisht të çlirohet nga instrumentalizimi politik, si në Zvicër ashtu edhe nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë. Së dyti, unë shoh potencial konkret në bashkëpunimin ndërshtetëror për të krijuar shtëpi për të moshuarit shqiptarë që dëshirojnë të kthehen për pleqëri në Kosovë. Ky model do të ishte “win-win”: Zvicra do të kursente buxhetin për kujdesin e të moshuarve, ndërsa Kosova do të përfitonte vende pune dhe zhvillim në sektorin shëndetësor dhe social.

Si e shihni gjeneratën e re të mërgatës sonë në Zvicër? A ka potencial të madh për përfshirje më aktive?
Aktualisht, nuk shoh potencial të madh politik tek diaspora, për shkak të mungesës së diversitetit ideologjik dhe përmbajtjes politike. Megjithatë, gjithmonë do të ketë 1–2 individë që do të shquhen. E rëndësishme është që të rinjtë të mos pranohen në politikë vetëm si përfaqësues të “diversitetit”, por si individë që vendosin temën dhe ndikojnë në diskursin publik.
A mendoni se mërgata jonë duhet të angazhohet më shumë në politikën zvicerane?
Angazhimi politik ka kuptim vetëm kur njeriu ka ide të qarta dhe kapacitet intelektual për të formësuar debatet në shoqëri. Në të kundërt, është humbje kohe. Nëse të rinjtë nuk e kuptojnë strukturën e politikës zvicerane dhe nuk kanë ide të reja, nuk do të kenë ndikim real.
Ju jeni pjesë e një partie me orientim të djathtë. Ku e shihni mërgatën shqiptare në Zvicër – më afër të djathtës apo të majtës politike?

Si liberal në Zvicër, mund të them se komuniteti shqiptar në vlerat e tij është konservator dhe liberal. Megjithatë, për shkak të propagandës së vazhdueshme për mbi 20 vjet, shumë shqiptarë votojnë për partitë e majta, duke e kundërshtuar në mënyrë të pavetëdijshme vetveten. Kjo është një “disfori politike” që duhet trajtuar me debat të hapur dhe të ndershëm.
A mirëpriten të rinjtë shqiptarë që dëshirojnë të jenë pjesë e partisë suaj?
SVP i mirëpret të gjithë. Ka më shumë anëtarë shqiptarë në këtë parti sesa mendohet. Nëse shqiptarët kanë njohuri politike dhe ndajnë vlera liberale-konservatore, SVP është një trampolinë politike jashtëzakonisht efektive.
A keni ndonjë të dhënë se sa shqiptarë janë anëtarë të kësaj partie?
Nuk kam të dhëna të sakta, por në qytetet e mëdha gjermano-folëse, zakonisht 3–4 përqind e anëtarëve të partisë janë me prejardhje shqiptare.
Çfarë do të kërkonit nga institucionet zvicerane që të kontribuojnë më shumë për mërgatën shqiptare?
Institucionet zvicerane duhet të ndalojnë së trajtuari diasporën si kategori “të veçantë” ose “viktimë”. Shqiptarët në Zvicër janë qytetarë me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, dhe kërkojnë barazi të vërtetë, jo trajtim paternalist apo diskurse boshe integrimi.

Pse mendoni se ende nuk është themeluar një Muze i Diasporës në Kosovë, pavarësisht kërkesave të shumta?
Krijimi i një Muzeu të Diasporës është ideja më e rëndësishme që kam dëgjuar në këtë kontekst. Do të ishte e pafalshme, në aspektin moral, historik dhe etik, që një projekt i tillë të mos jetë prioritet i Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Diaspora jo vetëm që ndihmoi në krijimin e Republikës së Kosovës, por edhe sot është shtylla e saj më e fuqishme.
A keni bashkëpunim me deputetë apo drejtues partish në Kosovë?
Nuk kam bashkëpunime zyrtare me parti apo politikanë në Kosovë, por kam kontakte të shpeshta informale me individë nga spektri i gjerë politik, ku ndajmë ide dhe rekomandime.
A mendoni se diaspora shqiptare është e politizuar apo ndikohet nga zhvillimet politike në atdhe?
Po, diaspora është e instrumentalizuar dhe kjo ndikon negativisht në integrimin e saj në Zvicër. Shumë shqiptarë shikojnë më shumë lajmet nga Kosova sesa nga Zvicra, dhe kështu e orientojnë vëmendjen e tyre politike drejt një shteti të largët, ndërkohë që taksat i paguajnë këtu. Duhet ta kuptojmë se Kosova është një shtet i vogël me 1.7 milion banorë, dhe që shpesh udhëheqësit e saj kanë pretendime joproporcionale me kapacitetin real.
Përdoret diaspora jonë vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve në Kosovë dhe Shqipëri?
Po, diaspora kujtohet vetëm gjatë fushatave zgjedhore, për të kërkuar vota. Pas zgjedhjeve, interesimi bie në zero. Kjo duhet të ndryshojë, dhe vetë diaspora duhet të bëhet e vetëdijshme për këtë realitet.
Ka shumë shoqata shqiptare në Zvicër – si e vlerësoni jetën shoqërore dhe aktivitetet e komunitetit tonë?
Ka shumë shoqata që bëjnë punë të jashtëzakonshme. Ata që angazhohen janë heronj të heshtur të diasporës. Mirëpo, është me rëndësi që këto shoqata të kenë lidhje më të afërta me institucionet për të pasur më shumë kapacitete dhe ndikim në aktivitetet e tyre.
A keni ndonjë ide konkrete për organizimin më të mirë të mërgatës sonë?
Po, unë kam përgatitur një koncept për një Federatë të Shoqatave Shqiptaro-Zvicerane, e cila do të funksiononte si një lobi institucional i fuqishëm. Për fat të keq, aktualisht mungojnë njerëz të kualifikuar që mund ta çojnë këtë ide përpara, përveç disa individëve – shpesh jo me shtetësi zvicerane – që kanë dëshirë të ndihmojnë shqiptarët në këtë drejtim.
Dhe për fund, cili është mesazhi juaj për mërgatën shqiptare në Zvicër?
E dashur diasporë, mos bini pre e narrativave politike boshe. Mos u joshni nga simbolet, kërkoni konkretësi nga përfaqësuesit tuaj – si në Zvicër, ashtu edhe në Kosovë. Organizohuni dhe bëhuni një forcë që merret seriozisht. Nëse nuk e bëni këtë, do të vazhdoni të trajtoheni si pjesë anësore dhe e padukshme e shoqërisë. Është koha të thoni: MJAFT.
Ju falënderoj edhe njëherë dhe punë të mbarë.
Gjithashtu z.Hebibi ishte kënaqësi edhe e imja.
SAM24.info