/ Nga: Dashnim HEBIBI /
Sot, më 3 qershor 2025, në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, Shefi i misionit diplomatik, z. Vigan Berisha, pati kënaqësinë ta mirëpresë një mysafire të veçantë – znj. Hava Shala – Gërguri, një figurë emblematike e rezistencës kombëtare dhe një ndër iniciatoret e Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve.
Si ish e burgosur politike dhe aktiviste e devotshme për liri dhe drejtësi, znj. Shala është mishërim i shpirtit të pathyeshëm shqiptar, i guximit qytetar dhe i fuqisë transformuese të faljes. Prania e saj në mjediset e Konsullatës na rikujtoi historinë e dhimbshme, por edhe të lavdishme të popullit tonë, dhe shërbeu si burim frymëzimi për të gjithë të pranishmit.
Z. Berisha e njeh mirë mallin e mërgimtarit – një ndjenjë që digjet thellë në zemrat e atyre që jetojnë larg, por e mbajnë gjithmonë në mendje e zemër atdheun.
Ai e përshkroi këtë vizitë me fjalët:
“Ishte takim me shpirtin e Kosovës, me një zonjë që mbart në vetvete historinë, dhimbjen dhe shpresën e një populli të tërë.”
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe respekti të thellë – ashtu siç di t’i realizojë gjithmonë z. Berisha, me ndjeshmëri ndaj emocioneve të mërgatës dhe dashurinë e pashuar për atdheun.
Me mirënjohje të thellë për znj. Hava Shala – Gërguri dhe për të gjithë ata që përmes veprës së tyre na kujtojnë se liria dhe paqja janë vlera të çmuara që kërkojnë sakrificë, kurajë dhe dashuri të pafund për kombin. /SAM24.info