Shqipëria ia ka kaluar Danimarkës stafetën për samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Europian (KPE), i planifikuar të mbahet më 2 tetor 2025.
Në mbyllje të një takimi disaorësh me 47 liderë të kontinentit, kryeministri Edi Rama përsëriti në konferencën e përbashkët me homologen daneze Mette Frederiksen, që objektivat e palës nordike të fokusohen edhe te paqja, veç kapaciteteve luftarake të Europës.
Ai tha se po e kalon në duar të sigurta stafetën e forumit ndërqeveritar, ku diskutohen politikat dhe strategjitë e së ardhmes për Europën.
“Mbështes plotësisht idenë që Europa duhet të bëjë më shumë kur vjen fjala për mbrojtjen dhe për të investuar në kapacitetet e saj të vetëmbrojtjes, por nga ana tjetër unë mendoj se kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër lidhet me vetë emrin e Europës. Europa ka qenë gjithmonë përfaqësuese e disa gjërave që të tjerët i kanë pasur zili. Mes tyre është aftësia për të parashikuar paqe të përhershme, për ta projektuar atë. Bashkimi Europian është produkt i një ëndrre fëmije, që askush nuk do ta mendonte, por ja që ndodhi: armiqtë për vdekje u bënë aleatë. Na duhet t’i bëjmë të gjitha ato për të cilat është folur për mbrojtjen, por të mos harrojmë se kemi edhe një shpirt që duhet ta mbrojmë, përveç territorit.
Së bashku përfaqësojmë një treg 600-milionësh një treg me potencial masiv, për të cilin na takon të bëjmë çfarë duhet për ta shndërruar në rezultate pozitive për njerëzit, vendet tona,” tha z. Rama.
Kryeministrja Frederiksen renditi tri çështje ku do të përqendrohet puna e qeverisë së saj në përgatitjen e samitit të radhës: riarmatimi i Europës, konkurrueshmëria dhe migracioni.
“Siguria do të jetë çështja jonë kryesore, përparësia, pasi jetojmë në një botë shumë të pasigurt sot. Rusia është një kërcënim i madh jo vetëm për sa i përket Ukrainës, por të gjithëve ne për shkak të sulmeve kibernetike, keqinformimit, dhe po përpiqen të shkatërrojnë demokracitë tona. Riarmatimi i Europës duhet të jetë prioriteti ynë… Mendoj që duhet të jemi në gjendje të mbrojmë veten. Jo se nuk jam transatlantike, por me pasigurinë që po sjell SHBA-ja në tryezë mendoj që është e nevojshme për të gjithë Europën që të jetë e aftë që të mbrojë veten. Nuk mund të luftosh një luftë pa armë. Ma ha mendja se ky do të jetë përfundimi i Samitit të Hagës pas një muaji, që të gjithëve do të na duhet të shpenzojmë më shumë për të mbrojtur veten.
Ne jemi një treg vërtet i madh, prandaj konkurrueshmëria e firmave tona është e rëndësishme, ndaj dua ta lidh këtë me tranzicionin e gjelbër. Ne duhet t’i japim fund karburanteve dhe gazit, hidrokarbureve nga Rusia. Një temë tjetër me përgjegjësi është migracioni. Situata ndryshon nga vendi në vend, por në pjesën tonë të Europës, migracioni ka qenë pothuajse i pakontrolluar dhe pasojat kanë qenë të panumërta,” u shpreh znj. Frederiksen.
Kryeministrja daneze foli edhe për nevojën e armëpushimit mes Ukrainës dhe Rusisë, për t’i dhënë fund luftës më të gjatë në Europë që prej Luftës II Botërore. Ajo tha se nga Kremlini nuk janë parë ende sinjale për pranimin e ofertës së Kievit që luftimi të pushojë fillimisht për 30 ditë. Sipas saj, sanksionet e mëtejshme mund të jenë një mënyrë tjetër për të nxitur reagimin e Moskës zyrtare, njofton rtsh.