Liderët botërorë kanë uruar kryeministrin e Shqipërisë ,Edi Rama, për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit. E para që uroi ishte kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Meloni shprehu angazhimin e saj për të vazhduar bashkëpunimin për forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe mbështetjes për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Ajo theksoi se bashkëpunimi strategjik mes Italisë dhe Shqipërisë është thelluar më tej përmes nismave të përbashkëta, që janë rezultat i një dialogu konstruktiv.
“Do të doja t’i shprehja urimet e mia të sinqerta kryeministrit Edi Rama për riemërimin e tij si kreu i qeverisë shqiptare. Miqësia e thellë dhe bashkëpunimi strategjik që lidh dy kombet tona është forcuar më tej falë nismave të përbashkëta, rezultat i dialogut konstruktiv dhe një dëshire të përbashkët për t’iu përgjigjur sfidave globale me zgjidhje inovative. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar më tej lidhjen midis dy qeverive tona dhe për të arritur objektiva të përbashkëta, duke përfshirë forcimin e stabilitetit në Ballkan dhe avancimin e rrugës evropiane të Shqipërisë”, tha Meloni.
Këtij urimi i është përgjigjur edhe kryeministri Edi Rama, i cili thotë se më e mira për të dy vendet do të vijë në të ardhmen.
“Faleminderit motër. Është nder të shërbesh për një marrëdhënie të jashtëzakonshme afërsie dhe miqësie si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë, dhe është privilegj të bashkëpunosh me një lider si ti, që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Nuk e di nëse kam shkruar saktë “një” lider dhe jo “një” lidere, por e di me siguri se më e mira për dy vendet tona nuk ka ardhur ende”, shkruan Rama.
Urimit i është bashkuar edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ku gjithashtu ka vlerësuar forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Urime për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj sukses në shërbim të popullit shqiptar. E vlerësojmë shumë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet vetëm përmes një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar. Mezi pres të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet miqësore mes vendeve tona, për të mirën e të dy kombeve tona”, shkruan Zelensky.
Edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, ka uruar kryeministrin Edi Rama , ndërsa shpreh kënaqësinë për të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë
“Urime Kryeministrit Edi Rama për fitoren në zgjedhje! Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe forumeve të tjera ndërkombëtare. Me kënaqësi pres të marr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë të premten”, shkruan Plenkovic.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka uruar kryeministrin Edi Rama, ndërsa thotë se “shqiptarët mbështetën përpjekjet për të integruar vendin”.
“Urime Edi Rama për fitoren e madhe të Partisë Socialiste në zgjedhje. Shqiptarët mbështesin në masë të madhe përpjekjet për ta futur Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Urime”, shkruan Sanchez, njofton rtsh.