Mbrëmjen e djeshme me 09 maj 2025, në Qendrën Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion, në Chavannes-près-Renens, në bashkëpunim me EPER me Programin Age et Migration, u organizua seanca e parë informative për këtë vit, kushtuar temës së Sigurimit të Pleqërisë dhe të Pasjetuarve (AVS).
I ftuari për këtë mbrëmje ishte z. Laurent Delapierre, udhëheqës i Arkës Kantonale për Kompensim, i cili paraqiti para të pranishmëve të rejat më të fundit lidhur me këtë sistem, me theks të veçantë lidhur me reformën e AVS21.

Gjatë prezantimit të tij, ai sqaroi harmonizimin e moshës së pensionimit për gratë dhe burrat, lehtësitë e parapara për pensionimin e parakohshëm të grave gjatë periudhës tranzitore, si dhe mundësinë e pensionit të pjesshëm për të dy gjinitë. Po ashtu, z. Delapierre foli edhe për të hyrat plotësuese (PC) që mund të përfitojnë pensionistët me pension të ulët, duke shpjeguar kushtet dhe procedurat përkatëse.

Në vazhdim të mbrëmjes, Luljeta Hajzeraj Krasniqi, kontribuoj me informacione shtesë mbi të drejtat për pensionet e jashtme, mënyrën e aplikimit, realizimin e tyre dhe detyrimet që burojnë nga këto të drejta për personat që jetojnë në Zvicër e që gëzojnë pensione nga vendet tjera.
Mbrëmja u përcoll me interesim të madh dhe pjesëmarrje aktive nga të pranishmit, të cilët shfrytëzuan këtë rast për të bërë pyetje të shumta dhe për të marrë përgjigje të drejtpërdrejta nga ekspertët.

Ky aktivitet shënon fillimin e një cikli mbrëmjesh të tjera informuese, të cilat synojmë t’i organizojmë gjatë këtij viti, me qëllim që t’i ofrojmë komunitetit shqiptar në Zvicër informacione të dobishme dhe qasje më të lehtë në shërbimet dhe të drejtat që u takojnë.
Fehim Abazi,
Imam i Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion-Lozanë