Kabineti i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që së shpejti të kontaktojë partitë politike për të përcaktuar një kohë të përshtatshme për një takim konsultativ gjithëpërfshirës, me synim daljen nga ngërçi politik që ka pasuar dështimin e konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Bekim Kupina, këshilltar për media pranë Presidencës, ka deklaruar se presidentja Osmani ka qenë e gatshme që nga 16 prilli të presë liderët e partive, nëse ata e konsiderojnë të nevojshme një takim të tillë.
“Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës,” ka thënë Kupina.
Partitë parlamentare janë shprehur të gatshme të marrin pjesë në një takim të tillë, të thirrur nga presidentja, për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës aktuale dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Që nga mbajtja e seancës konstituive më 15 prill, Kuvendi i Kosovës ka dështuar dymbëdhjetë herë të konstituohet.
Nesër është paralajmëruar tentimi i trembëdhjetë për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, proces ky që po has në bllokadë.
Procesi është bllokuar tek zgjedhja e kryeparlamentarit, pasi koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kandidaten e propozuar, Albulena Haxhiun.
Kundër saj po votojnë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë. Deputetët e Listës Serbe nuk po marrin pjesë fare në votime, sikurse edhe deputetja boshnjake Duda Balje.
PDK dhe AAK po kërkojnë nga LVV-ja ndryshimin e kandidatit për kryeparlamentar, ndërsa LDK ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë kandidat që vjen nga ky subjekt politik, njofton telegrafi.