Me nismën e kryetarit të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Staten Island, NY, z. Naser Nika, dhe nën drejtimin e sekretarit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Dr. Pashko Camaj, u organizua një takim me Kryeministrin e Malit të Zi, z. Milojko Spajic në Ambasadën e Malit të Zi në Washington DC.
Në këtë takim morën pjesë gjithashtu edhe kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej”, z.Imer Laçaj, dhe aktivisti i komunitetit shqiptar në Staten Island, z. Arbi Shabani.
Pas përshëndetjeve të rastit, diskutimet u përqendruan rreth një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën e turizmit midis shtetit te Malit të Zi dhe një biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili parashikon një investim kolosal në Plazhin e Madh të Ulqinit.
Ky projekt, i miratuar disa ditë më parë në Parlamentin e Malit të Zi, ka ngjallur shqetësim tek komuniteti shqiptar që banon në këtë zonë në veçanti, si edhe tek shqiptarët e Ulqinit në përgjithësi, për shkak të mungesës së transparencës dhe dyshimeve se projekti mund të shërbejë kryesisht në interes të shtetit dhe bizneseve private, duke anashkaluar interesat e popullsisë vendase.
Pas një prezantimi të bërë nga sekretari i “Vatrës”, Dr. Pashko Camaj, mbi historinë dhe kontributin 113-vjeçar të Federatës në diasporën shqiptare të SHBA,— për të cilën Kryeministri Spajic shprehu admirimin e tij për ekzistencën e një organizate kaq jetëgjatë shqiptare në SHBA —,Dr. Camaj u perqendrua ne keto pika:

– Veprimet e deritanishme rreth ketij investimi, kanë qenë jo transparente, dhe kane krijuar hapësirë për interpretime të paqarta dhe ndasi në komunitet.
– Shqiptaret jane pro investimeve, por çdo projekt duhet të garantojë që të mos ndikojë negativisht në strukturën demografike të popullsisë autoktone.
– Ligji, “Morsko Dobro”, i cili lejon shtetëzimin e pronave private pranë detit, duhet të ndryshohet për të qenë më i drejtë ndaj komunitetit shqiptar në Ulqin, në krahasim me zonat e tjera të banuara kryesisht nga malazezët.
Në takim, shqetësimet e tyre i shprehën gjithashtu z. Naser Nika, z. Imer Laçaj dhe z. Arbi Shabani, të cilët theksuan se ky projekt investimi, mund të dëmtojë bisneset ekzistuese të shqiptarëve në zonën e Ulqinit dhe kërkuan më shumë informacion mbi mënyrën si do të sigurohet transparenca dhe përfshirja e pushtetit lokal në procesin e zhvillimit.
Kryeministri Spajic shprehu se; personalisht është kundër çdo investimi i cili cenon interesat e popullsisë vendase dhe se çdo projekt do të zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe me strategjinë për mbështetjen e biznesit të vogël vendas. Ai siguroi se investimi është planifikuar në interes të komunitetit dhe jo për përfitime të një individi apo grupi të caktuar investitorësh.
Gjithashtu, ai garantoi se do të ketë hapësira të mjaftueshme për plazhe publike, qasje të lirë në plazh për banorët, si dhe transparencë të plotë për çdo zhvillim të ardhshëm.
Në përfundim të takimit, u dhanë sugjerime të ndryshme për mënyra zgjidhjeje të problemeve të mundshme lidhur me këtë investim, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së interesave të popullsisë vendase.
Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi shoqëror dhe në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku të dyja palët shprehën mendimet e tyre hapur dhe me mirëkuptim të plotë.
Kryeministri i Malit të Zi, z. Milojko Spajic, falënderoi pjesëmarrësit për shprehjen e shqetësimeve të Komunitetit Shqiptar dhe siguroi se çdo vendim do të merret në interes të popullsisë vendase në veçanti dhe të komunitetit të Ulqinit në tërësi.
Sekretari i “Vatrës”, Dr. Pashko Camaj, shprehu mirënjohjen ndaj Kryeministrit të Malit të Zi për vlerësimin e shqetësimeve të komunitetit shqiptar, si dhe falënderoi stafin e Ambasadës së Malit të Zi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i uruar suksese në shërbim të popullit të Malit të Zi, njofton gazetadielli.