/ Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich /
Seanca e katërt për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ishte paralajmëruar të fillojë në orën 15:00. Megjithatë, ora kaloi dhe ende puna nuk ka nisur. Kjo situatë, përveçse nuk është serioze, është një dëshmi zhgënjyese për të gjithë qytetarët — si ata që jetojnë në Kosovë, ashtu edhe për bashkatdhetarët në mërgatë.
Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull në çdo aspekt, e sidomos në respektimin e kohës. Përpikmëria nuk është vetëm çështje organizimi, por një tregues i përgjegjësisë dhe respektit ndaj qytetarëve që i kanë zgjedhur.
Burhan M., një bashkatdhetar që jeton në Kantonin e Cyrihut, shprehet: “Ndoshta ne në Zvicër jemi mësuar me përpikmëri i shikojmë këto gjëra më mirë se të tjerët, por është e dhimbshme kur shohim që në vendin tonë, njerëzit e parë të shtetit nuk e respektojnë as orarin. Paramendo sa seriozitet mund të mungojë në sektorët e tjerë.”
Është e pafalshme që përfaqësuesit e qytetarëve të vijnë pa stres dhe ngadalë në sallën e Kuvendit, e cila ende është e zbrazët edhe pas kohës së caktuar për fillim. Kjo nuk është vetëm çështje disipline, por pasqyron një mungesë të përgjithshme të kulturës institucionale.
Koha është e çmuar. Respektimi i saj është një prej shtyllave të funksionimit të çdo shoqërie demokratike. Nëse liderët tanë nuk e respektojnë kohën, si mund të presim që qytetarët t’i marrin institucionet seriozisht? Deri kur kështu? A nuk është koha që përpikmëria të bëhet vlerë dhe jo përjashtim?