/ Dashnim HEBIBI nga SAM24.info
Për ne shqiptarët, Zvicra është më shumë se një vend ku jetojmë, punojmë dhe rrisim familjet tona – është atdheu ynë i dytë, një vend që na ka hapur dyert, na ka dhënë mundësi dhe na ka trajtuar me dinjitet.
Në këtë vend mikpritës, shqiptarët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare kanë gjetur një shtëpi të dytë. Thuhet se në Zvicër jetojnë mbi 400.000 shqiptarë, dhe pothuajse është e vërtetë sepse nuk ka qytet, fshat apo kanton ku nuk takon një shqiptar. Kudo nëpër punëtori, biznese, institucione publike, spitale, shkolla dhe sport, shqiptarët janë pjesë aktive e këtij vendi dhe kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e tij.
Shqiptarët në Zvicër – një histori suksesi
Shqiptarët kanë ardhur në Zvicër për një jetë më të mirë, për mundësi dhe siguri, dhe shumë prej tyre kanë arritur të integrohen e të shkëlqejnë në fusha të ndryshme. Sot kemi gjeneratën e katërt shqiptare në Zvicër, të rinj të lindur e rritur këtu, të cilët e ndiejnë këtë vend po aq sa edhe vendin e origjinës.
Shumë shqiptarë tashmë kanë marrë shtetësinë zvicerane, duke u bërë pjesë e barabartë e shoqërisë. Kemi deputetë në Parlamentin Federal, deputetë kantonalë, kryetarë partish politike dhe kryetarë parlamentesh në qytete të ndryshme të kantoneve zvicerane. Shqiptarët po tregojnë se jo vetëm që janë të integruar, por edhe se duan të japin kontributin e tyre për të mirën e përbashkët të këtij vendi.
Në fushën e sportit, shqiptarët kanë lënë gjurmë të rëndësishme. Para disa viteve, kombëtarja zvicerane e futbollit kishte 6 futbollistë shqiptarë, të cilët ishin ndër më të mirët, dhe edhe sot vazhdojmë të kemi yje shqiptare që kontribuojnë për ekipin kombëtar zviceran.
Po ashtu, në fushën e biznesit, shqiptarët kanë krijuar kompani të suksesshme në sektorë të ndryshëm – ndërtimtari, gastronomi, shërbime e teknologji. Me punë dhe përkushtim, ata kanë ndërtuar një jetë të sigurt për veten dhe familjet e tyre.
Zvicra, një vend që na ka ndihmuar gjithmonë
Zvicra nuk është vetëm një vend që na ka pranuar, por edhe një vend që ka ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë në momentet më të vështira historike. Gjatë luftës në Kosovë, Zvicra ishte ndër shtetet që priti më shumë refugjatë shqiptarë, duke i mbrojtur dhe duke u ofruar ndihmë e mbështetje. Edhe pas luftës, Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmën humanitare dhe në ndërtimin e paqes në Kosovë. Edhe sot, ushtria zvicerane kontribuon për stabilitetin e Kosovës përmes misionit të KFOR-it, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin e saj për paqe dhe siguri.
Gjithashtu, Zvicra ndihmon shkollën shqipe LaPSH, duke mundësuar hapësira në shkollat e saj për mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Ky është një kontribut i jashtëzakonshëm për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë, duke ndihmuar brezat e rinj të mos harrojnë rrënjët e tyre.
Gjuha shqipe, një nga gjuhët më të folura në Zvicër
Sipas Entit të Statistikave të Zvicrës, gjuha shqipe është një nga gjuhët më të folura në vend, menjëherë pas anglishtes dhe italishtes. Kjo tregon për prezencën dhe rëndësinë e komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane.
Në Zvicër, shqiptarët janë të lirë të ruajnë dhe të praktikojnë kulturën dhe traditat e tyre. Janë rreth 86 xhami shqiptare, të cilat janë ndërtuar me kontributin e mërgatës, duke treguar se shqiptarët, pavarësisht përkatësisë fetare, e ruajnë identitetin dhe unitetin e tyre. Feja na dallon, por gjuha dhe kombi na bashkojnë – dhe për këtë kemi pasur gjithmonë mbështetjen e Zvicrës.
Të rinjtë shqiptarë – krenari për komunitetin
Një nga dëshmitë më të forta të integrimit të shqiptarëve në Zvicër është fakti se të rinjtë tanë me krenari shërbejnë në ushtrinë zvicerane. Për ta, shërbimi ushtarak nuk është vetëm një detyrim, por edhe një akt përkushtimi ndaj vendit që u ka dhënë mundësi dhe siguri.
Po ashtu, shumë të rinj shqiptarë janë duke ndjekur studimet në universitetet më të mira të Zvicrës dhe janë të suksesshëm në fusha të ndryshme – si mjekësi, drejtësi, ekonomi, shkenca kompjuterike dhe shumë të tjera. Ata po dëshmojnë se shqiptarët nuk janë vetëm punëtorë të palodhur, por edhe profesionistë të suksesshëm, të cilët kontribuojnë në zhvillimin e këtij vendi.
Një dashuri e ndarë mes dy atdheve
Nëse e pyet një të ri shqiptar “A je më shumë nga Kosova apo nga Zvicra?”, ai me siguri do të përgjigjet: “Gjysmë andej, gjysmë këndej”. Dhe kjo është e kuptueshme – sepse për shqiptarët, Kosova, Shqipëria dhe Zvicra janë pjesë e identitetit të tyre. Ne e duam dhe e respektojmë këtë vend, dhe jemi mirënjohës për mundësitë që na ka dhënë.
Në Zvicër, jeta bëhet jetë. Ky vend na ka dhënë siguri, mundësi dhe një të ardhme të ndritur për ne dhe fëmijët tanë. Ne nuk harrojmë rrënjët tona, por as nuk harrojmë mirësinë dhe mikpritjen që na ka dhënë Zvicra.
Zvicër, faleminderit!
Faleminderit që na prite kur kishim nevojë!
Faleminderit që na dhe mundësi!
Faleminderit për drejtësinë, sigurinë dhe lirinë!
Faleminderit që je bërë një shtëpi e dytë për ne!
Me zemër e shpirt, e duam dhe e respektojmë Zvicrën!
Mirënjohje përjetë!
SAM24.info