/ Nga Dahest LUMA, Tiranë
Tiranë, 01 mars 2025
Mbrëmë me datë 28.02.2025, në një ceremoni të veçantë të mbajtur ambientet e kryeministrisë në Tiranë, në praninë e shumë personaliteteve të njohura nga vendi dhe diaspora, u promovua dokumentari “Porta Mikpritëse e Shqiptarëve në Hungari”, një prodhim i TVSH, realizuar nga gazetarja Freskida Miloti.

Ky dokumentar sjell një rrëfim të veçant mbi jetën dhe veprën e z. Avni Hafuzi, Konsull Nderi i Shqipërisë në Hungari, duke ndjekur rrugëtimin e tij nga Presheva në Hungari. Filmi eksploron sfidat, arritjet dhe kontributin e tij në komunitetin shqiptar dhe marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Hungarisë.

Në dokumentar flasin familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij, të cilët ndajnë kujtime dhe vlerësime për figurën e z. Hafuzi.

Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje u bë me ftesë të Kryeministrisë së Shqipërisë, duke nënvizuar edhe një herë rëndësinë e tij si një urë lidhëse mes dy vendeve.

Promovimi i dokumentarit “Porta mikpritëse e shqiptarëve në Hungari”, kushtuar Konsullit të Nderit Avni Hafuzit dëshmon edhe njëhere, se Shqipëria i nderon veprimtarët e saj kudo që ndodhen.

Ky dokumentar është transmetuar në Radio Televizionin Shqiptar.

Në sytë e protagonistit kryesor të mbrëmjes shkëlqenin lot gëzimi. Modestia e tij, së bashku me kontributin e jashtëzakonshëm kombëtar dhe humanitar, e kanë bërë z. Hafuzi një figurë që do të jetojë përjetësisht në zemrat tona.

Ai ka lënë gjurmë të thella për të ardhmen e kombit, veçanërisht te të rinjtë në diasporë. Në këtë ngjarje të rëndësishme, përveç disa bashkëvendësve të tij nga Lugina e Preshevës, si Dr.Dergut Aliu, Rafet Ademi, Gzim Memishi, mësuesi i tij Ridvan Sadiku, Dashnim Hebibi, etj z. Hafuzi u nderua edhe nga miq të ardhur nga e gjithë shqiptaria, si z.Flamur Gashi, etj.

Padyshim, ai do të kishte dëshiruar të kishte pranë edhe shumë të tjerë, por për shkak të numrit të kufizuar, u detyrua t’i përshëndeste ata që, me zemër e shpirt, ishin aty. Për platformën tonë mediale helveticALforum tha ndër të tjera, se është shumë i lumtur që është në Tiranë në kryeqytetin shqiptar. Falënderon familjen, miqtë e shokët, që e kanë përkrahur dhe po e përkrahin. Nuk do të ndalem deri sa të kem frymën e fundit për të mirën e kombit tim dhe për bëmirësi e paqe në përgjithësi.

Modestia e tij u vlerësua edhe nga disa media që e përcollën këtë ngjarje. Miq nga Austria dhe Zvicra e përqafuan me urime për shëndet e jetë të gjatë.

Veprimtaria e tij nuk do të mbetet thjesht në një film dokumentar apo një libër—ai do të jetojë përjetë në kujtesën dhe frymëzimin e brezave të ardhshëm, sepse ishte dhe do të mbetet një simbol i së mirës.
helveticALforum




