Inteligjenca artificiale mund të ketë një rol të rëndësishëm në shpëtimin e kosherëve të bletëve nga sëmundje si varroatoza, duke ofruar një ndihmë të vlefshme për bletërritësit në luftën kundër këtij paraziti të dëmshëm.
Këtë e pohon një student shqiptar, i cili po studio në Londër për inxhinieri dhe ka kërkuar të zhvillojë një zgjidhje teknologjike që mund të aplikohet në bletari.
Varroatoza është një nga sëmundjet më të rrezikshme për bletët.
Bletërritësit thonë se një koshere e patrajtuar siç duhet mund të shkatërrohet brenda dy vitesh nga ky parazit.
Eugen Skerma, një bletërritës nga juglindja e Shqipërisë, shpjegon se varroatoza është një shqetësim i madh për bletërritësit, duke u përpjekur të luftohet me metoda tradicionale, të tilla si përdorimi i acidit oksalik.
“Është morri që zhvillohet te bleta, ka vite që ka ardhur, nuk mund të zhduket plotësisht. Bletërritësi i mirë duhet ta mbajë në kontroll bletën. Për ta zhdukur nuk ka shans, duhet ta mbash në kontroll që të mos shkatërrojë bletët gjatë dimrit, me acid oksalik. Është e vështirë, një luftë që nuk fitohet ndonjëherë”, thotë bletërritësi Eugen Skerma.
Por, sipas Ergi Mirës, një student shqiptar që po ndjek studimet për inxhinieri në Universitetin e Greenwich në Londër, inteligjenca artificiale mund të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive. Ai ka një eksperiencë të gjatë me bletarinë nga fshati i tij Menkulas në Devoll, propozon përdorimin e teknologjisë për të monitoruar dhe luftuar varroatozën në mënyrë më të saktë dhe me kosto të ulët.
“Nëse do të marrim parasysh mjekimet tradicionale, ky morr ka fituar imunitet ndaj kimikateve. Kjo po vjen duke u përkeqësuar, ndaj ne propozojmë përdorimin e inteligjencës artificiale për ta monitoruar. Mund të monitorojë në detaje më tepër sesa syri i lirë i njeriut; e kontrollojmë ciklin, e luftojmë në fazat e para dhe ulim riskun e shpërndarjes së saj, gjë që rrit shëndetin e bletës”, thotë Ergi Mira, student në Londër.
Ergi Mira thekson se përdorimi i inteligjencës artificiale mund të bëhet shumë i thjeshtë për bletërritësit, duke përdorur smartphone për të monitoruar në kohë reale. Sistemi do të dërgojë mesazhe të menjëhershme dhe, sipas tij, kjo do të mundësojë një menaxhim më efikas të bletëve dhe një ulje të kostove.
“Mënyra e përdorimit është e thjeshtë, nëpërmjet smartphone-it. E merr në kohë reale, në formën e mesazhit. Kostoja shkon diku tek 2-3 mijë euro për një park me 200 bletë, por nuk është kosto e shtuar, sepse ul shpenzimet duke reduktuar shkatërrimin e bletëve”, thotë Ergi Mira, student në Londër. Në qarkun e Korçës, një nga zonat më të njohura për bletari në Shqipëri, ka më shumë se 80 mijë koshere bletësh, të përqendruara kryesisht në Korçë dhe Devoll. Bletërritësit e kësaj zone janë të interesuar për zgjidhje të reja teknologjike që mund të përmirësojnë shëndetin e bletëve dhe të rrisin prodhimin e mjaltit, duke reduktuar përdorimin e kimikateve dhe duke u përballur më lehtë me sfidat që paraqet varroatoza, njofton euronewsal.




