BallinaEKSKLUZIVEZvicra përballë faturës së shëndetësisë: primet rriten, familjet paguajnë më shumë

Zvicra përballë faturës së shëndetësisë: primet rriten, familjet paguajnë më shumë

-

Primet e sigurimit shëndetësor pritet të rriten rreth 5 për qind – kush do ta paguajë faturën?

Zvicra përballet sërish me rritjen e kostove të shëndetësisë. Primet e sigurimit shëndetësor për vitin 2027 pritet të shënojnë një rritje mesatare prej rreth 5 për qind, duke shtuar edhe më shumë barrën mbi buxhetet familjare, transmeton 20min.ch.  Të martën, ministrja federale e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, pritet të prezantojë zyrtarisht primet e sigurimit shëndetësor për vitin 2027. Sipas raportimeve të «SonntagsZeitung», rritja mesatare mund të jetë rreth 5 për qind, më e lartë se rritja prej 4,4 për qind e shpallur në raundin e fundit. Për miliona të siguruar në Zvicër, kjo do të thotë një tjetër goditje ndaj buxhetit familjar. Primet e sigurimit shëndetësor janë kthyer prej vitesh në një prej shpenzimeve më të ndjeshme për familjet, veçanërisht për ato me të ardhura të mesme dhe të ulëta.

Një ndryshim pritet nga viti 2028

Një rreze shprese për frenimin e kostove mund të vijë nga reforma EFAS, e cila u miratua nga votuesit zviceranë në vitin 2024. Nga viti 2028, kantonet nuk do të financojnë vetëm trajtimet spitalore, por do të marrin pjesë edhe në financimin e shërbimeve ambulatore. Në këtë mënyrë, financimi i trajtimeve spitalore dhe ambulatore do të bëhet më i unifikuar.Sipas modelit të ri, kantonet do të mbulojnë rreth një të katërtën e kostove, ndërsa siguruesit rreth tri të katërtat. Synimi është që sistemi të mos favorizojë një formë trajtimi vetëm për shkak të mënyrës së financimit dhe, në të njëjtën kohë, të krijohen mekanizma për kontroll më të mirë të shpenzimeve.

Por pyetja mbetet: a do të ndihen këto lehtësime realisht në xhepat e qytetarëve?

Kujdesi nga familjarët dhe barnat për dobësim shtojnë shpenzimet

Sipas raportimeve të «SonntagsZeitung», ndër faktorët që po ndikojnë në rritjen e kostove janë edhe kujdesi i ofruar nga familjarët dhe përdorimi i barnave të grupit GLP-1. Kujdesi nga familjarët është bërë një zë gjithnjë e më i rëndësishëm i shpenzimeve. Sipas të dhënave të përmendura nga lidhja e siguruesve shëndetësorë Prioswiss, kjo kategori mund t’u kushtojë paguesve të primeve të paktën 350 milionë franga gjatë vitit 2026. Në anën tjetër, trajtimet me analogë GLP-1, të përdorur ndër të tjera për obezitetin dhe diabetin e tipit 2, kanë krijuar një tjetër burim shpenzimesh. Kostoja vjetore e një trajtimi për person përmendet rreth 2100 franga, ndërsa shpenzimet totale në Zvicër për përdorimin e tyre në këto dy fusha arrijnë rreth 160 milionë franga në vit. Një problem i evidentuar është edhe ndërprerja e trajtimit pas disa muajsh nga një pjesë e pacientëve. Në raste të tilla, pesha mund të rikthehet shpejt, duke ngritur pyetje jo vetëm për koston financiare, por edhe për efektivitetin afatgjatë të trajtimit.

A është zgjidhja rritja e franshizës?

Përballë rritjes së vazhdueshme të primeve, një tjetër propozim është rritja e franshizës minimale. Që nga viti 2004, franshiza minimale ka qenë 300 franga. Këshilli Federal propozon që ajo të rritet në 400 franga, me argumentin se kjo mund të kontribuojë në uljen e primeve.Por një pjesë e qytetarëve nuk e mbështet këtë ide. Sipas një sondazhi të Bonus.ch me rreth 5500 pjesëmarrës, 59 për qind janë shprehur kundër rritjes së franshizës minimale. Dhe kjo është pikërisht dilema e sistemit zviceran: ulja e primit mujor mund të duket pozitive në pamje të parë, por një franshizë më e lartë do të thotë që pacienti duhet të paguajë më shumë nga xhepi kur ka nevojë për trajtim.

Shëndetësia po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë

Rritja e primeve nuk është vetëm një çështje statistikash. Për një familje me disa anëtarë, edhe një rritje prej disa për qind mund të përkthehet në qindra franga më shumë në vit. Prandaj debati për shëndetësinë zvicerane nuk mund të kufizohet vetëm te pyetja se sa do të rriten primet. Pyetja më e madhe është se si mund të ndërtohet një sistem që garanton kujdes cilësor shëndetësor, pa e bërë gjithnjë e më të rëndë faturën për qytetarin. Reforma EFAS pritet të sjellë ndryshime nga viti 2028. Por deri atëherë, familjet zvicerane duhet të përgatiten për një tjetër rritje të kostove.Shëndetësia është një e drejtë dhe një domosdoshmëri, por për shumë familje në Zvicër ajo po bëhet edhe një prej sfidave më të mëdha financiare, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch

(Foto ilustrim)

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Guri i vendlindjes sime

0
Nga Dashnim HEBIBI I flet tre gjuhë të huaja gjuha e tij kryesore është shqipja e pellazgëve dhe ilirëve, shqipja e iliridës shqipja e tërë shqiptarëve Preshëvën unë e...