Qeveria zvicerane ka miratuar një kredi prej 334.5 milionë frangash për financimin e programeve të integrimit gjatë viteve 2028–2032. Vendimi, i marrë më 25 shtator, njofton admin.ch dhe parasheh që çdo vit të investohen rreth 66.9 milionë franga në masa që synojnë mbështetjen e integrimit të personave me prejardhje migratore në shoqërinë dhe tregun zviceran të punës.
Sipas vendimit të autoriteteve zvicerane, shuma vjetore është rreth 5.4 milionë franga më e lartë krahasuar me fondet që janë në dispozicion aktualisht. Nga fondet e miratuara, 37.3 milionë franga në vit do t’u ndahen kantoneve, të cilat do t’i përdorin për financimin e kurseve të gjuhës, këshillimit, masave në fushën e arsimit dhe projekteve që synojnë përfshirjen në tregun e punës. Ndërkohë, 29.6 milionë franga në vit janë paraparë për programe në nivel kombëtar. Në këtë kuadër përfshihen edhe masa për përgatitjen profesionale dhe programe të tjera që synojnë përmirësimin e mundësive për integrim afatgjatë. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet heqjes së pengesave me të cilat përballen gratë emigrante, si dhe krijimit të rrugëve më të qëndrueshme drejt punësimit dhe pjesëmarrjes në jetën profesionale. Autoritetet zvicerane theksojnë se këto mjete nuk janë pagesa që u shpërndahen drejtpërdrejt individëve. Bëhet fjalë për financim të shërbimeve, projekteve dhe programeve të integrimit, të cilat zbatohen kryesisht përmes kantoneve dhe strukturave përkatëse. Me këtë vendim, Konfederata planifikon të vazhdojë mbështetjen financiare për masat e integrimit gjatë periudhës pesëvjeçare 2028–2032, me fokus të veçantë në gjuhën, arsimin, përgatitjen profesionale dhe qasjen në tregun e punës, transmeton BSot.










