Reshje shiu, ulje të temperaturave dhe borë në zonat malore. Ndërsa fundjava sjell ngrica në mëngjes, në fillim të javës së ardhshme pritet rikthimi i erërave të ngrohta të Föhn-it.
Zvicra do të përjetojë ditë me ndryshime të theksuara të motit, ku shiu, bora, temperaturat e ulëta dhe periudhat me diell do të ndërrohen me njëra-tjetrën, transmeton 20min.ch. Sipas parashikimeve të MeteoSwiss, e enjtja do të karakterizohet kryesisht nga vranësirat dhe reshjet, ndërsa gjatë natës drejt së premtes pritet rënie e ndjeshme e temperaturave dhe ulje e kufirit të borës. E enjtja nis me mot kryesisht të vranët, ndërsa në disa zona reshjet do të jenë fillimisht të kufizuara. Në rrafshinën qendrore mund të ketë edhe mjegull lokale. Gjatë ditës, reshjet do të përhapen pothuajse në të gjithë vendin. Temperaturat në ultësira pritet të arrijnë rreth 10 gradë Celsius, ndërsa në luginat ku fryn era e ngrohtë Föhn mund të ngjiten deri në 13 gradë. Gjatë natës drejt së premtes, moti do të ftohet dukshëm. Kufiri i reshjeve të borës pritet të zbresë në 800 deri në 1200 metra mbi nivelin e detit.
Bora zbret deri në 800 metra lartësi
E premtja do të nisë me vranësira të dendura, veçanërisht në Alpe, Zvicrën Qendrore dhe atë Lindore, ku priten ende reshje. Gjatë ditës, kufiri i borës do të qëndrojë në rreth 800 deri në 1000 metra lartësi. Mbi 1500 metra parashikohet të bien nga 2 deri në 8 centimetra borë të re. Temperaturat do të jenë dukshëm më të ulëta, me vetëm 4 deri në 8 gradë në ultësira, ndërsa në lartësinë prej 2000 metrash termometri mund të zbresë deri në minus 5 gradë. Një situatë krejtësisht tjetër pritet në kantonin e Tiçinos, ku temperaturat do të mbeten dukshëm më të larta. Në Biasca parashikohen deri në 18 gradë, ndërsa në Lugano rreth 17 gradë Celsius.
Fundjava nis me ngrica, por sjell edhe diell
E shtuna do të nisë me temperatura të ulëta, madje në ultësirat e Zvicrës termometri pritet të shënojë rreth minus 1 gradë Celsius në orët e mëngjesit. Gjatë pasdites temperaturat do të arrijnë rreth 6 gradë, ndërsa në luginën e Renit të Churit mund të shkojnë deri në 9 gradë. Në pjesën veriore të Alpeve parashikohen mjegullnaja të dendura të larta, me kufirin e sipërm rreth 1000 metra. Në zonat e tjera moti do të jetë kryesisht me diell, ndërsa në mbrëmje vranësirat do të shtohen nga perëndimi. Të dielën, në Alpet Qendrore dhe Lindore, ndikimi i erës së ngrohtë Föhn do të mundësojë intervale me diell gjatë orëve të para të ditës. Në pjesën tjetër të vendit vranësirat do të shtohen nga jugperëndimi dhe herë pas here mund të ketë reshje. Kufiri i borës pritet të ngjitet në rreth 2000 metra. Temperaturat maksimale do të arrijnë rreth 8 gradë, ndërsa në zonat e prekura nga Föhn mund të shkojnë deri në 14 gradë.
Föhn-i rikthen temperaturat më të buta në fillim të javës
Edhe e hëna pritet të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me vranësira dhe reshje të herëpashershme. Kufiri i borës do të lëvizë ndërmjet 1200 dhe 1700 metrave.
Në luginat e Alpeve Qendrore dhe Lindore, gjatë gjysmës së parë të ditës pritet të fryjë sërish erë e fuqishme Föhn. Temperaturat në përgjithësi do të arrijnë rreth 9 gradë, ndërsa në zonat me ndikim të kësaj ere mund të ngjiten deri në 13 gradë Celsius.
Kështu, Zvicra do të kalojë brenda pak ditësh nga reshjet e shiut dhe bora në lartësi relativisht të ulëta, te ngricat e mëngjesit dhe temperaturat më të buta në disa rajone. Ndryshimet kërkojnë kujdes të shtuar, veçanërisht për drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë në zonat malore, ku kushtet atmosferike mund të ndryshojnë shpejt, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.
Foto nga Adi Hebibi










