POSTIMET E FUNDIT

Zvicër-Pushimi i lehonisë para lindjes: mbrojtje e nevojshme apo barrë e kushtueshme?

Një debat i ri politik është ndezur rreth të drejtave të grave shtatzëna në tregun e punës, ndërsa propozohet që pushimi i lehonisë të fillojë tre javë para lindjes së fëmijës. Aktualisht, ky pushim nis në ditën e lindjes, por të dhënat tregojnë se shumica e grave detyrohen të ndërpresin punën shumë më herët për arsye shëndetësore. Kjo ka shtyrë përfaqësuesit e të Gjelbërve të kërkojnë një reformë që synon mbrojtje më të mirë për nënën dhe fëmijën, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.  Sipas propozimit, përveç 14 javëve ekzistuese të pushimit të lehonisë pas lindjes, do të shtoheshin edhe tre javë para lindjes, të financuara nga skema e kompensimit të të ardhurave. Përkrahësit argumentojnë se sistemi aktual ka boshllëqe serioze, pasi shumë gra përfundojnë në pushim mjekësor, duke krijuar kosto shtesë për punëdhënësit.

Me një skemë të përbashkët financimi, barra do të ndahej mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, duke sjellë më shumë drejtësi dhe stabilitet për bizneset, veçanërisht ato të vogla. Një tjetër argument në favor të kësaj nisme është se sektorët ku dominojnë gratë – si shëndetësia, mirëqenia dhe estetika – shpesh përballen me kosto më të larta për shkak të strukturës së stafit. Reforma synon të balancojë këtë pabarazi dhe të krijojë kushte më të drejta në tregun e punës.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur. Kritikët nga kampi konservator e konsiderojnë këtë masë si të panevojshme dhe të kushtueshme, duke paralajmëruar se zgjerimi i vazhdueshëm i skemave sociale mund të krijojë presion të madh financiar dhe të japë sinjale të gabuara për tregun e punës. Ata theksojnë gjithashtu se shtatzënitë janë të ndryshme dhe një qasje e njëjtë për të gjitha gratë nuk është e përshtatshme. Qeveria gjithashtu shpreh rezerva, duke vlerësuar se kostoja e kësaj mase mund të arrijë rreth 200 milionë franga në vit. Për më tepër, sipas saj, disa gra mund të përfundojnë në një situatë më të pafavorshme financiare: aktualisht, në rast të pushimit mjekësor ato shpesh marrin pagë të plotë, ndërsa në skemën e re kompensimi do të ishte rreth 80 për qind.

Ndërkohë, disa zëra kërkojnë që kjo çështje të mos trajtohet e izoluar, por në kuadër të një reforme më të gjerë për pushimin prindëror, duke përfshirë edhe rolin e baballarëve dhe ndarjen e kohës së kujdesit për fëmijën. Vendimi përfundimtar pritet të merret së shpejti, ndërsa debati reflekton tensionin mes nevojës për mbrojtje sociale dhe shqetësimeve për qëndrueshmërinë ekonomike, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch. 

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB