Në “Galerinë Societe” në Ambasadën italiane në Berlin është çelur ekspozita “Krizalimi” ku janë prezantuar 13 piktura të kryeministrit Edi Rama.
Gjatë një bashkëbisedimi në Berlin me Ambasadorin Fabrizio Bucci, Kryeministri Edi Rama, mes artit dhe politikës, ka reflektuar mbi rrugëtimin transformues të Shqipërisë dhe raportin e saj me Bashkimin Europian.
Rama kujtoi me humor të kaluarën e tij si kampion basketbolli dhe si profesor i Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë ku u shpreh me shaka: “Unë jam më i miri artist në botë mes kryeministrave dhe kryeministri më i mirë mes artistëve.”
Duke e cilësuar BE-në si një “bekim” për ndërtimin e institucioneve, Rama theksoi se pavarësisht natyrës së ndërlikuar të procesit, rezultatet në terren janë të dukshme.
“BE-ja është një bekim për ne, funksioni i saj është shumë e dobishme për ndërtimin e institucioneve dhe di ta bëjë këtë. Është procesi më neurotik i mundshëm, por funksionon. Kjo është ajo që kemi ndryshuar”.
Ai shtoi se BE-ja ka ndryshuar qëndrimin e saj pas agresionit rus në Ukrainë, duke kaluar nga fjalët në veprime konkrete. Kjo, tha Rama, solli nevojën që ky bllok të lëvizë me ritme më të shpejta drejt integrimit të Ballkanit.
“Ne duhet të bëjmë atë që duhet bërë. Dhe do të ecim përpara sepse kështu përmirësohemi. Lajmi i mirë është se ne nuk do të bëhemi kurrë një Gjermani, por një Itali, PO!”, tha Rama, transmeton rtsh.




