3.6 C
Zurich
Tuesday, February 3, 2026
spot_img
spot_img

Zvicër – E diela e II e Ardhjes – Sursee 2025

Duhet ti lexosh

Mesha e shenjtë, e mbushur me besimtarë të të gjitha moshave, me altarin e rrethuar nga ministrantë të shumtë, me këngën dhe zërin e shkëlqyer të Korit, me shërbimin dhe kujdesin delikatë të Këshilltarëve, është gjithmonë e veçantë dhe mbush zemrën dhe mendjen me ndjenja paqeje dhe gëzimi. Në këtë atmosferë miqësore dhe shpirtërore, dje, më 7 dhjetor, festuam të Dielën e Dytë të Adventit në Sursee.

Meqenëse dita e mëparshme shënoi festën e Shën Kollit, një shenjt i dashur dhe shumë i nderuar edhe në popullin tonë, don Antoni e përqendroi predikimin ose meditimin e kësaj të diele kryesisht në jetën dhe mesazhin e këtij shenjti të veçantë të Kishës Katolike.

Ai solli një histori të dhimbshme që lidhej me ndërmjetësimin e Shën Kollit: “Era e ftohtë e dhjetorit godiste qytetin bregdetar. Nëpër rrugët e ngushta shiheshin njerëz që mbyllnin dyert shpejt, nga frika e stuhisë që po vinte. Por në fund të rrugicës së vjetër banonte një djalosh i quajtur Marko, i cili prej dy vitesh kujdesej i vetëm për nënën e sëmurë. Shtëpia e tyre ishte e lagësht, e ftohtë dhe pothuajse e rrënuar. Pasuria e vetme që kishin ishte një qiri i vogël, të cilin Marko e ndizte çdo mbrëmje ndërsa lutej që nëna e tij të jetonte edhe një ditë tjetër. Një natë, teksa stuhia bëhej gjithnjë e më e egër, qiriu u shua. Errësira mbuloi shtëpinë dhe zemra e Markos u drodh.

- Advertisement -

‘Zot, mos më lër vetëm,’ pëshpëriti ai. Në atë çast, dera trokiti. Marko u tremb, mendoi se ndoshta ishte era. Por trokiti sërish, qetë dhe me ritëm. Kur e hapi derën, para tij qëndronte një burrë i veshur me mantel të thjeshtë ipeshkvi, me një fytyrë të qetë dhe një buzëqeshje që i ngjante dritës së agimit. ‘Pse rri në errësirë, biri im?’ e pyeti ai. Marko uli kokën. ‘Më është fikur i vetmi qiri… dhe s’kam tjetër.’ Burri hyri brenda dhe pa nënën e shtrirë në shtrat, të zbehtë dhe të dobët. Ai vendosi dorën mbi ballin e saj, dhe ngrohtësia u përhap si një rreze dielli brenda asaj dhome të ftohtë.

Pastaj nxori nga manteli i tij një qiri të artë që digjej pa u shuar, i shtirej Markos dhe i tha: ‘Mbaje këtë dritë. Ajo nuk shuhet kurrë, për sa kohë që zemra jote është e pastër.’ Ndërsa Marko e mbante qirin, shtëpia u mbush me një shkëlqim të butë. Nëna hapi sytë për herë të parë pas shumë ditësh dhe buzëqeshi. Kur djali u kthye të falënderonte burrin, ai s’ishte më. Fqinjët, kur dëgjuan historinë, kuptuan menjëherë: Ai që e kishte vizituar ishte Shën Kolli, mbrojtësi i nevojtarëve, ai që sillte dritë aty ku errësira dukej e pashpresë.”

Pasi e rrëfeu këtë histori, don Antoni interpretoi disa nga detajet e saj, siç janë kujdesi i fëmijëve për prindërit e tyre dhe për të moshuarit; lutja si një marrëdhënie ngushëlluese me Zotin dhe frymëzim për një jetë të virtytshme; vetmia; kuptimi shpirtëror i dhuratave; rëndësia e gëzimit dhe e buzëqeshjes; dhe rëndësia e mbajtjes gjallë të asaj drite të brendshme shpirtërore të aftë për t’u përballur me të gjitha vështirësitë dhe sfidat që mund të lindin në udhëtimin tonë të jetës.

- Advertisement -

Në përfundim të Meshës, i veshur me rroba dalluese, me një shikim depërtues, një hap të sigurt dhe një shprehje të gëzueshme në fytyrë, i rrethuar nga fëmijë dhe i ngarkuar me dhurata, Shën Kolli erdhi për të vizituar fëmijët e shumtë të pranishëm në Meshë dhe për t’u dhënë atyre një dhuratë në shenjë urimi dhe dashurie.

Në këtë Meshë patëm si mysafir nderi z. Stefan Müller, drejtor ekzekutiv i kishës së Luzernit, i cili erdhi thjesht për të parë dhe festuar me ne të dielën e dytë të Adventit.

Të gjitha këto ishin momente vërtet të bukura, të cilat na mbushën zemrat me gëzim dhe falënderim. Kjo është bukuria dhe veçantia e të qenit një Kishë e gjallë, e bashkuar në emër të Krishtit, njofton Misioni Katolik Shqiptar në Luzern, transmeton helveticALforum.ch

Foto: Nue Tuqi

- Advertisement -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme