Zvicra përgatitet për një ndryshim të shpejtë të motit. Të mërkurën, një front i ftohtë do të mbërrijë nga drejtimi i Jurës dhe Zvicrës Veriperëndimore, duke sjellë reshje të dendura, rrebeshe, stuhi lokale dhe erëra me shpejtësi deri në 60 kilometra në orë. Temperaturat do të bien deri në 5–10 gradë krahasuar me ditën e mëparshme.
Pas temperaturave relativisht të larta të ditëve të fundit, moti në Zvicër do të ndryshojë ndjeshëm gjatë së mërkurës, transmeton 20min.ch.Fronti i ftohtë pritet të arrijë në vend rreth mesditës, fillimisht nga rajoni i Jurës dhe Zvicrës Veriperëndimore, për t’u shtrirë më pas në pjesë të mëdha të vendit.Mëngjesi i së mërkurës pritet të nisë me një përzierje dielli dhe vranësirash. Megjithatë, gjatë paradites do të rritet mundësia për rrebeshe të izoluara. Rreth mesditës, me kalimin e frontit të ftohtë, reshjet dhe stuhitë do të përhapen në shumë rajone të Zvicrës.Të prekura do të jenë edhe pjesë të Zvicrës Jugore.
DERI NË 30 LITRA SHI NË RAJONET MALORE
Sipas parashikimeve meteorologjike, sasitë më të mëdha të reshjeve priten përgjatë Prealpeve, si dhe në disa pjesë të Alpeve të Bernës dhe Zvicrës Qendrore, në Zvicrën Lindore dhe në pjesë të Graubündenit verior.Në këto zona mund të regjistrohen deri në 30 litra reshje për metër katror, ndërsa gjatë rrebesheve ose stuhive më të fuqishme mund të ketë edhe sasi disi më të mëdha.Në zonat fushore reshjet pritet të jenë dukshëm më të pakta. Në shumicën e këtyre rajoneve parashikohen rreth 3 deri në 10 litra shi për metër katror.Më pak reshje priten në zonën përgjatë pjesës perëndimore të Liqenit të Konstancës, në drejtim të Schaffhausenit dhe më tej drejt rajonit të Baselit, si dhe përgjatë këmbës së Jurës. Megjithatë, edhe këto zona nuk do të mbeten plotësisht të thata.
TEMPERATURAT BIEN DERI NË 10 GRADË
Ndryshimi më i dukshëm do të jetë ai i temperaturave. Para mbërritjes së frontit të ftohtë, të mërkurën temperaturat mund të arrijnë rreth 20 deri në 22 gradë Celsius. Pas kalimit të frontit, në shumë vende ato do të zbresin nën 20 gradë.Në krahasim me ditën e mëparshme, rënia e temperaturave do të jetë rreth 5 deri në 10 gradë. Rënia më e ndjeshme pritet në rajonet që aktualisht regjistrojnë temperaturat më të larta, veçanërisht në zonat e Gjenevës dhe Bazelit. Megjithatë, meteorologu Peter Wick e cilëson ndryshimin si të ndjeshëm, por jo ekstrem.
ERËRA DERI NË 60 KM/H
Fronti i ftohtë do të shoqërohet edhe me forcim të erës, veçanërisht në pjesën veriore të Alpeve.Gjatë paradites mund të regjistrohen rafale ere prej rreth 50 deri në 60 kilometra në orë. Erërat më të forta priten në zonat e ekspozuara dhe gjatë kalimit të rrebesheve.Meteorologët nuk presin një situatë të përgjithshme të motit të keq në nivel të një stuhie të rrezikshme. Po ashtu, mundësia për breshër të konsiderueshëm vlerësohet të jetë e ulët. Megjithatë, gjatë stuhive lokale mund të ketë përkohësisht reshje të fuqishme, bubullima, vetëtima dhe erëra të forta.
PAS STUHISË, MOTI FILLON TË QETËSOHET
Ndryshimi i motit do të jetë relativisht i shpejtë. Të enjten pritet të rikthehet pjesërisht dielli, edhe pse në Alpet qendrore dhe lindore mund të ketë ende rrebeshe të izoluara. Të premten një front i dobët do të sjellë më shumë vranësira dhe mundësi për reshje të pakta, ndërsa temperaturat do të lëvizin rreth 20 gradëve. Por fundjava pritet të sjellë sërish një përmirësim të motit. E shtuna parashikohet të jetë kryesisht me diell dhe me temperatura rreth 21 gradë, ndërsa të dielën pritet mot edhe më i butë, me rreth 23 gradë Celsius.Kështu, pas një të mërkure të lagësht, me stuhi lokale dhe rënie të ndjeshme të temperaturave, Zvicra pritet të rikthehet gradualisht drejt motit më të qëndrueshëm dhe më të ngrohtë gjatë fundjavës, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.










