Shkup – Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka kritikuar ashpër gjendjen e fushës në stadiumin kombëtar “Todor Proeski” në Shkup, një ditë para përballjes me Maqedoninë e Veriut në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Yakin u shpreh i pakënaqur me gjendjen e terrenit, duke vënë në pikëpyetje kushtet për zhvillimin e një ndeshjeje futbolli në nivel ndërkombëtar.
“Në një fushë të tillë nuk mund të luhet futboll. Do të isha i lumtur nëse bari do të kositej deri nesër. Kur shihni një fushë të tillë, me bar shtatë centimetra të lartë, atëherë jeni të lumtur që këtë mëngjes keni stërvitur në Turqi”, deklaroi Yakin.
Kombëtarja zvicerane zhvilloi seancën e fundit stërvitore para ndeshjes në Turqi dhe vetëm më pas udhëtoi drejt Shkupit. Sipas raportimeve, një nga arsyet për këtë vendim ishte pikërisht gjendja e fushës në stadiumin “Todor Proeski”.
Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve për terrenin, Yakin theksoi se skuadra e tij është e përgatitur për sfidën dhe se Zvicra do ta marrë seriozisht përballjen.
“Kemi mjaftueshëm cilësi në ekip dhe nesër secili do të japë maksimumin, sepse nuk ka kundërshtarë të lehtë dhe ne i marrim të gjithë seriozisht”, u shpreh trajneri zviceran.
Zvicra do të jetë pa dy prej lojtarëve të rëndësishëm, Granit Xhakën dhe Breel Embolon, të cilët nuk do të jenë në dispozicion për këtë takim.
Megjithatë, Yakin mbetet optimist përpara ndeshjes dhe thekson se skuadra e tij është e fokusuar në gjetjen e zgjidhjeve.
“Sigurisht, nuk do t’i kemi në dispozicion Granit Xhakën dhe Breel Embolon. Por jemi pozitivë dhe të orientuar drejt gjetjes së zgjidhjeve”, përfundoi Yakin.
Ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës pritet të jetë një nga përballjet kryesore të xhiros së parë të sezonit të ri të Ligës së Kombeve, në Ligën B. /K.GOCA/BS










