Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lideri i PD është pritur në aeroportin e Nju Jorkut nga bashkatdhetarë dhe përfaqësues të diasporës. Në kuadër të kësaj vizite, Berisha do të zhvillojë një takim të zgjeruar me komunitetin shqiptaro-amerikan në New Jersey.
Aktiviteti do të mbahet ditën e dielë, më 6 shtator, në orën 10:00 sipas orës lokale amerikane (16:00 me orën e Tiranës), në ambientet e “Venetian Palace” në New Jersey. Vizita e kryedemokratit në SHBA vjen në një moment mjaft delikat dhe vendimtar për zhvillimet politike në Shqipëri. Prania e tij në Konventën Kombëtare të Republikanëve më 9-10 shtator shënon një zhvillim kyç në marrëdhëniet e opozitës me partnerët konservatorë amerikanë. Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, axhenda e kryetarit të PD-së parashikon gjithashtu një seri takimesh me zyrtarë dhe përfaqësues të politikës amerikane, transmeton bweb.










