BallinaKulturaU ZHVILLUA DITA E PARË E KONFERENCËS “DITËT LETRARE DHE TAKIMI I...

U ZHVILLUA DITA E PARË E KONFERENCËS “DITËT LETRARE DHE TAKIMI I SHKRIMTARËVE SPANJOLLË DHE SHQIPTARË”

-

Nga Angela KOSTA, ITALI

U zhvillua sot dita e parë e konferencës “Ditët Letrare dhe Takimi i Shkrimtarëve Spanjollë dhe Shqiptarë”, e cila u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në Qendrën “Sotir Kolea” (Biblioteka e Vjetër), duke filluar nga ora 11:00. Në këtë veprimtari morën pjesë shkrimtarë shqiptarë dhe spanjollë, përkthyes të gjuhës spanjolle dhe pedagogë universitarë. Të pranishëm ishin edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, poeti dhe studiuesi i njohur prof. dr. Mujë Buçpapaj, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura, si dhe koordinatori i veprimtarisë, shkrimtari dhe përkthyesi Namik Dokle, e të tjerë.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ishte bashkorganizatore e këtij takimi të rëndësishëm kulturor, së bashku me Ambasadën e Spanjës në Shqipëri dhe Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Me këtë rast, Biblioteka Kombëtare kishte organizuar edhe një minipanair me libra të shkrimtarëve spanjollë të përkthyer në gjuhën shqipe.

Gjatë konferencës, folësit shqiptarë dhe spanjollë diskutuan mbi praninë dhe përhapjen e letërsisë spanjolle në gjuhën shqipe, si dhe mbi përkthimin dhe promovimin e letërsisë shqiptare në gjuhën spanjolle. Ata theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit letrar e kulturor ndërmjet dy vendeve, duke krijuar një hapësirë të përbashkët dialogu mes krijuesve, studiuesve dhe përkthyesve, nxitur shkëmbimin e përvojave letrare, njohjen e ndërsjellë të kulturave dhe forcimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet letërsisë shqiptare dhe asaj spanjolle.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, poeti dhe studiuesi i njohur prof. dr. Mujë Buçpapaj ne fjalen pershendetese tha: “Takimet ndërmjet letërsive nuk janë thjesht veprimtari të shkëmbimit kulturor; ato përbëjnë hapësira të privilegjuara të njohjes së ndërsjellë, ku gjuhët, përvojat historike dhe vetëdijet estetike hyjnë në një marrëdhënie dialoguese. Letërsia, përtej funksionit të saj artistik, është një formë e epërme e kujtesës kolektive, një arkiv i ndjeshmërisë njerëzore dhe një nga mënyrat më të qëndrueshme përmes të cilave një popull artikulon identitetin e vet dhe komunikon me botën.

Në këtë pikëprerje të kulturave shqiptare dhe spanjolle, trajtimi i letërsisë bashkëkohore shqipe merr një domethënie të veçantë. Ai kërkon të shqyrtojmë jo vetëm transformimet estetike dhe shumëllojshmërinë e prirjeve krijuese, por edhe marrëdhënien e letërsisë sonë me hapësirën kombëtare, me diasporën, me traditën dhe me proceset e integrimit në kulturën letrare evropiane”.

Konferenca përbën një kontribut të çmuar në promovimin e letërsisë, në afrimin e shkrimtarëve shqiptarë dhe spanjollë dhe në pasurimin e dialogut kulturor ndërmjet dy popujve. Ajo dëshmon se letërsia dhe përkthimi mbeten ura të rëndësishme komunikimi, mirëkuptimi dhe miqësie ndërmjet kulturave. Veprimtaria do të vijojë nesër me ditën e dytë të konferencës.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Shtatë sfidat që e presin Kosovën pas ngërçit që e mbajti...

0
Nga: Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog Tani, pasi u qartësua problemi i votimit të Ligjit për Specialen dhe çështja e zgjedhjes së Presidentes, para institucioneve...