Maketi i vëllimit të parë të “Historisë së shqiptarëve” u prezantua sot, më 22 shtator 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nga Komisioni i Arkeologjisë.
Me këtë rast, prof. dr. Neritan Ceka, kryetar i Komisionit të Arkeologjisë, prezantoi vëllimin I të “Historisë së shqiptarëve”, tashmë të përgatitur për shtyp, pas përfundimit të redaktimit shkencor dhe letrar, i cili u është dorëzuar autorëve.
Prof. Ceka bëri të ditur se teksti i ri, me 670 faqe, integron zbulimet më të fundit arkeologjike dhe studimet e emrave më të shquar të albanologjisë, duke u mbështetur në trashëgiminë shkencore dhe punimet e profesorëve të njohur si Hasan Ceka, Skënder Anamali, Muzafer Korkuti, Selim Islami, Frano Prendi, si dhe në një numër të madh autorësh, burime të rralla dhe vëllime arkivore.
Vëllimi I përfshin zanafilla e qytetërimit ilir, mbretëritë ilire, periudhën romake dhe bizantine, deri në formësimin e hershëm arbëror.
Pas prezantimit të maketit, anëtarët e komisionit të pranishëm, ndër ta akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike të ASHSH-së; akad. Adem Bunguri, drejtor i Institutit të Arkeologjisë; prof. dr. Skënder Muça e të tjerë, nënvizuan çështjet që duhen shmangur para botimit. Më tej, u zhvilluan diskutime mbi problematika të ndryshme nga autorët dhe drejtuesit e projektit.
Në praninë e akad. Skënder Gjinushit, kryetar i Akademisë së Shkencave, takimi vijoi me referimin e akad. Adem Bungurit, anëtar i Komisionit dhe drejtor i Institutit të Arkeologjisë, mbi realizimin e deritanishëm të ekspeditave arkeologjike për vitin 2026.
“Historia e shqiptarëve” është një nga projektet madhore të Akademisë së Shkencave, së bashku me “Enciklopedinë shqiptare” dhe “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, të cilat po i afrohen fazës përfundimtare të realizimit.










