Nga BEN BLUSHI
Njëri prej çifutëve propozoi që Izraeli të krijohej në Shqipëri. Këto ditë po flitet shumë për ardhjen e çifutëve në Shqipëri.
Duket sikur hebrenjtë kanë vendosur të braktisin Izraelin dhe të vendosen këtu.
Natyrisht nuk është e vërtetë.
Ai popull ka dy mijë vjet që pret dhe tetëdhjetë vjet që lufton për pak centimetra tokë më shumë.
Për atë shkretëtirë ku nuk mbi dot një mollë, ka vrarë fëmijët e një populli tjetër, është vrarë dhe sot është në konflikt me shumicën e botës.
Izraelitët sot duhet të jenë populli më i urryer në faqe të dheut.
Çdo grusht shteti, çdo luhatje burse, çdo falimentim, çdo krizë, çdo mashtrim dhe çdo luftë lidhet me ta.
Izraelitët duken si një çerdhe shtrigash që shkatërrojnë popujt e tjerë dhe ju marrin paratë.
Pas çdo ngjarje që njerëzit nuk e kuptojnë fshihet një çifut.
Përfshi edhe në Shqipëri.
Fjalët se izraelitët do vijnë të na marrin vendin janë si gurët e shkulur të bulevardit të Tiranës.
Ato shërbejnë për të thyer xhamat e besimit tonë te vetja.
Sa herë një popull humb besimin te vetja e gjen fajin te një popull tjetër.
Çdo popull jeton më mirë kur një armik imagjinar ia furnizon me karburant rezervat e nacionalizmit riciklues.
Ky quhet nacionalizmi low cost.
Me kosto të lirë.
Kur nuk shërben dot si benzinë, nacionalizmi imagjinar shërben si lubrifikant.
Ai e lëviz pak më shpejt rrotën e rotacionit poliitik.
Por për ti dhënë një ngushëllim të gjithë atyre që besojnë vërtet se ne jemi në mes të një komploti çifut, dikur ka ekzistuar një plan për ta krijuar Izraelin në Shqipëri.
Përpara se Izraeli të themelohej në vitin 1948, qindra hebrenj filluan të mendojnë ku do krijohej shteti i tyre.
Në cilën zonë të botës?
Në cilin kontinent?
Afër apo larg Evropës që vrau 6 milion çifutë në Luftën e dytë Botërore.
Të tmerruar nga Holokausti shfarosës disa propozuan që Izraeli të ishte në Afrikë, disa në Kenya, pra më mirë në mes të luanëve se evropianëve e sidomos gjermanëve, disa të tjerë në Madagaskar në ishullin e skllevërve, disa në Mongoli si një sanduic mes 1 miliard kinezëve dhe 300 milion sovjetikëve, një tjetër në Alaska me eskimezët që hanë ngjalla të gjalla kurse disa në Argjentinë në cepin më ekstrem të botës, në Patagoni, përballë Polit të Jugut.
Natyrisht në hartën e kësaj histerije nuk mund të mungonte dhe vendi jonë histerik.
Njëri prej çifutëve propozoi që Izraeli të krijohej në Shqipëri.
Ky ishte një gazetar anglez me origjinë hebreje që erdhi në Tiranë në vitin 1935.
Quhej Leo Elton dhe ishte pak naiv.
Dhe meqë ishte naiv plani i tij që parashikonte se 3 milion hebrenj do bashkëjetonin me 800 mijë shqiptarë nuk u mor parasysh.
Sikur të ndodhte ne sot mund të ishim si palestinezët dhe Tirana do të ishte si Jeruzalemi.
E ndarë me mure, me zona dhe me lagje.
Nuk e di në cilën pjesë do binte rruga e Kavajës ku jetoj sot, por kam frikë se Kodrat e Liqenit do ishin në pjesën çifute.
Çifutët e kanë shumë qejf ujin.
Por megjithëse plani ambulant i gazetarit Leo Elton nuk u pranua, ai pati një efekt në Shqipëri.
Rrëzoi një qeveri.
Konspiracioni funksionoi.
Nga thashethemet një qeveri ra dhe një tjetër u ngrit.
Gjithë këtë histori që tregon ardhjen e gazetarit hebre në Tiranë dhe bisedimet e tij sekrete e kam treguar në romanin tim të fundit Historitë e Cmendura të Tiranës.
Për fat ky libër është shkruar nga janari deri në fillim të qershorit, pra përpara se gurët e konspiracionit “çifutët do na marrin vendin” të ktheheshin në gjyle.
Kushdo që do të mësojë më shumë mund të lexojë Historitë e Çmendura të Tiranës.
Kapitulli quhet “Plani Çifut për ta bërë Tiranën Jerusalem”.
Ndodhet në faqen 245.
Lexohet shpejt sidomos kur bie shi. /GSH










