Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një imazh në platformën Truth Social, ku shfaqet presidenti venezuelian Nicolás Maduro në bordin e anijes luftarake amerikane USS Iwo Jima.
Postimi u bë publik disa orë pas kapjes së Maduros dhe bashkëshortes së tij, ndërsa Trump konfirmoi për Fox News se ata po transportohen drejt Shteteve të Bashkuara.
Sipas Trump, dyshja është paditur në New York dhe po udhëton drejt SHBA-së me helikopter dhe anije.
“Ata vranë shumë njerëz dhe shumë amerikanë, madje edhe njerëz në vendin e tyre,” deklaroi ai, duke theksuar se operacioni ishte planifikuar të kryhej katër ditë më parë, por u shty për shkak të kushteve të motit.
Presidenti amerikan rrëfeu se Maduro ndodhej në një rezidencë të fortifikuar, të pajisur me dyer çeliku dhe një hapësirë sigurie të ndërtuar për t’i rezistuar ndërhyrjeve të dhunshme.
“Ishte më shumë një fortesë sesa një shtëpi. Kishte dyer çeliku dhe atë që quhet ‘safety space’, e rrethuar nga çelik solid nga të gjitha anët,” tha Trump. Ai shtoi se Maduro tentoi të hynte në këtë hapësirë sigurie, por u kap në befasi dhe nuk arriti të strehohej.
Trump theksoi se operacioni u krye pa viktima në radhët e forcave amerikane, megjithëse disa ushtarë u plagosën lehtë. “Disa djem u goditën, por janë në gjendje mjaft të mirë,” u shpreh ai.
Më parë ai tha se, sipas rrëfimit të tij, Maduro dhe bashkëshortja u nxorën nga shtrati dhe u larguan nga Venezuela me helikopter, për t’u transferuar më pas në anijen luftarake që i dërgoi drejt New York-ut. Trump shtoi se e ndoqi operacionin në kohë reale nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago. “Më dukej sikur po shikoja një shfaqje televizive,” tha ai.
Në postimin e tij, presidenti Trump shkruante:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës realizuan me sukses një operacion të madh kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nikolas Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten, u arrestua dhe u transferua ajror jashtë vendit. Operacioni u krye në bashkëpunim me autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit. Detaje të mëtejshme do të publikohen. Sot në orën 11:00 do të mbahet një konferencë për media në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen tuaj!”, transmeton rtsh.




