Nga Dashnim HEBIBI
Sot u bënë 9 vjet nga një ditë historike për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Më 7 mars, në një ditë simbolike për kombin shqiptar, Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Bujar Nishani (tashmë i ndjerë), shkroi një kapitull të veçantë historie duke vizituar Luginën e Preshevës. Ai mbeti presidenti i parë i Shqipërisë që vizitoi këto treva shqiptare dhe këtë etni të shumëvuajtur.

Një rol të rëndësishëm në realizimin e kësaj vizite historike pati edhe veprimtari i çështjes kombëtare, këshilltari i presidentit, Ambasadori Flamur Gashi, i cili e mbajti premtimin e dhënë dhe kontribuoi që Presidenti i Shqipërisë të vizitonte këtë etni shqiptare në Luginën e Preshevës, duke bërë të mundur një moment të rëndësishëm për shqiptarët e kësaj ane.
Edhe pse ajo ditë ishte me shi, sikur edhe vetë natyra qante nga gëzimi dhe emocionet e asaj vizite të shumëpritur, banorët e Luginës kishin dalë në pritje me flamuj kombëtarë kuqezi, me zemra plot krenari dhe dashuri për kombin. Ajo pritje e ngrohtë tregoi se sa shumë domethënie kishte ajo vizitë për shqiptarët e këtyre trojeve.

Vizita e Presidentit Nishani nuk ishte vetëm një akt protokollar, por një mesazh i fuqishëm mbështetjeje dhe uniteti kombëtar për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai tregoi se këto troje nuk janë të harruara dhe se shqiptarët kudo që jetojnë janë pjesë e pandashme e një kombi.
Me rastin e vizitës së tij dhe për librin tim “Lugina e Preshevës pjesë e unitetit kombëtar”, Presidenti Nishani kishte lënë një porosi shumë domethënëse për gjeneratat e reja. Ai kishte theksuar se thesari më i madh i identitetit tonë kombëtar është gjuha shqipe, dhe se ajo duhet ruajtur dhe kultivuar si një pasuri e madhe e kulturës evropiane dhe botërore.

Presidenti kishte bërë thirrje që Shqipëria, Kosova dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, jo vetëm t’i nderojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, por edhe t’i përkrahin dhe t’i ndihmojnë ata, veçanërisht të rinjtë, që të mos e braktisin vendlindjen e tyre. Ai kishte theksuar se jeta duhet ndërtuar në këto troje me nder, dinjitet dhe normalitet, duke ruajtur identitetin dhe traditat shqiptare.
Sot, edhe pse Presidenti Nishani nuk është më fizikisht mes nesh, kujtimi i tij mbetet i gjallë në zemrat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Vizita e tij ishte një moment që nuk do të harrohet kurrë dhe do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së kësaj ane.
Në çdo rrahje zemre të banorëve të kësaj treve, ai do të mbetet gjithmonë Presidenti që erdhi, na nderoi dhe na dha shpresë.
Lugina e Preshevës nuk harron!
Shpirti yt i bardhë bëftë dritë në përjetësi, President!




