Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga orientimet strategjike të Kosovës. Ai ka theksuar nevojën për forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe avancimin e standardeve evropiane.
Sveçla i ka bërë këto deklarata pas takimit me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, të cilin e ka mirëpritur dhe i ka uruar sukses në mandatin e tij në Kosovë. Në fokus të takimit kanë qenë prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, veçanërisht forcimi i rendit dhe ligjit, siguria dhe rritja e kapaciteteve institucionale. “Integrimi evropian mbetet orientim strategjik i Kosovës. Do të vazhdojmë të punojmë për institucione të forta, sundim të ligjit dhe standarde evropiane, duke e bërë Kosovën çdo ditë më të gatshme për vendin që synojmë në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Sveçla. Ministri në detyrë ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për institucionet e Kosovës, duke e falënderuar Schuebelin për bashkëpunimin dhe përkrahjen në këtë drejtim. Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në fushën e sigurisë, sundimit të ligjit dhe forcimit të institucioneve, si pjesë e përpjekjeve të Kosovës për avancimin e agjendës së saj evropiane, transmeton rtk.










