Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, nga programi i drejtësisë civile dhe biznesore, në kuadër të përgatitjeve profesionale dhe praktike, kanë realizuar me sukses një seancë simulative për trajtimin e rasteve konkrete nga fusha e së drejtës civile.
Kjo iniciativë përbën një mundësi të vlefshme për studentët që të zbatojnë njohuritë teorike në një mjedis praktik, duke u angazhuar në role të ndryshme si gjyqtarë, avokatë dhe palë në proces. Përmes kësaj metode interaktive të të nxënit, ata jo vetëm që ushtruan aftësitë juridike, por edhe zhvilluan ndjeshmëri më të thellë ndaj funksionimit të sistemit gjyqësor dhe sfidave që sjell praktika profesionale.
Aktivitete të tilla synojnë të përmirësojnë cilësinë e arsimit juridik, duke ofruar përvoja konkrete që ndihmojnë në përgatitjen e studentëve për realitetin e profesionit të juristit. /UHZ