/ Intervistë ekskluzive me veprimtarin e njohur që jeton e vepron në Zvicër, z.Selami Huruglica /
Intervistoi: PhD. Dashnim HEBIBI
„Ndjehem shumë krenar që kam pasur mundësi të ndihmoj çështjen kombëtare për çlirimin nga okupatori serb. Ndjehem krenar që kemi mdihmuar familjen dhe përtej familjes, në vendlindje e më së shumti me angazhimin e shkollimin e fëmive, na tha ndër të tjera, z.Huruglica.
I lindur më 18.06.1964 në Fshatin Dobërçan (Mirash i Vogël), Komuna e Gjilanit. Ka kryer shkollën fillore në vendlindje, e shkollën e mesme në Gjilan. Pas regjistrimit në Fakultetin Juridik, më 1986, menjëherë erdhi në Zvicër dhe ashtu mbet vetëm i regjistruar. Është i martuar me Hava Huruglica Sadriu dhe është prindër i pesë fëmive. Z.Huruglica gëzon autoritet të madh tek thuajse e gjithë mërgata shqiptare.
Ai është pozitiv, ndihmues, modest, atdhetar, i besa-besës, besimtar, shkurt e shqip, është e pamundur të shihet nervoz. Mjafton të përmendet emri dhe menjëherë fillon të flasësh fjalë të mjalta, sepse ashtu është edhe në realitet. Kur deshtëm të realizojmë intervistë me te nga modestia e tij, gjithmonë na thonte, ka më të mirë se sa unë, ka më patriot se sa unë, megjithate, na nderoi neve dhe leuxuesit tanë, sepse kemi çka të lexojmë nga shpirt-bardhësia e tij.
Na flisni pak për motivin dhe arsyet që ju shtynë të linit vendlindjen për të ardhur këtu?
Motivi i ardhjes sime në mërgim ishte çështja ekonomike dhe politike. Isha nxënës i shkollës së mesme në periudhën e demostratave të vitit 1981 dhe aty u pa se mundësia e parë është të largohemi nga vendlindja që të kontribuojmë në çështjen ekonomike për familje dhe çështjen kombëtare.
Me çfarë vështirësish jeni përballur në vitin e parë si mërgimtar?
Viti i parë është viti që kurrë nuk harrohet. Kam pasur fatin që djali i axhës, Ramadan Huruglica, më ka gjetur punën për tre muaj në atë kohë me kartë studentore. Ishte viti 1986 (periudha qeshor-gusht). Për herë të parë larg familjes, pa njohur gjuhë, i ri, mosha 23 vjeçare, i humbur komplet, sikur të kisha shkuar në Hënë. Kushte shumë të vështira jetësore, edhepse në Zvicër.
Cila ka qenë puna e parë që keni arritur t’a gjenit në mërgim?
Kam filluar në fabrikën (Arthur Weber Stahl AG) në Schadorf Kanton, Uri. Kemi bërë përgatitjen me plan të hekurit për punishtet ndërtimore (punë e rëndë, shumicën e muajve me deri 240 orë punë).
Për çka ju merr malli më së shumti nga të gjitha ato që keni lënë në atdhe?
Kanë thënë të parët se edhe për therra të merr malli. Më së shumti malli për prindërit, për të cilët ndjej dhembje të madhe, gjithmonë. Isha fëmia më i vogël i familjes, pas tre vëllezërve dhe një motre. Më së shumti më mungon kujtimi se si fëmia më i vogël, kam jetuar shumë pak me prindërit. Asnjëri prej tyre nuk jeton më. Përndryshe, më mungon gjithçka.
Diaspora shqiptare ka dëshmuar që di dhe mundet të organizohet në mbështetje të interesave kombëtare. Sipas jush, cili është niveli i organizimit të saj sot dhe çfarë potenciali kontribues përfaqëson diaspora jonë në ditët e sotme?
Diaspora shqiptare, vërtetë ka ditur të organizohet në kohët më të vështira për çështjen kombëtare, në të gjitha trojet shqiptare dhe besoj që kemi dhënë provimin. Kurse sot, mendoj që, sidomos në Zvicër, për të mos thënë aspak, jemi shumë pak të organizuar. Mendoj dhe besoj që mungesa e interesimit të qeverive shqiptare në vendlindje, ka ndikuar që ne mos të organizohemi gati për asgjë. Mendoj se, sidomos Qeveria Kosovare, që 20 vite, diasporën shqiptare e ka injoruar, duke e trajtuar vetëm si monedhë, aspak si bashkëqytetarë të vendit tonë. Unë besoj se deri sa të jemi kështu të injoruar, shteti i Kosovës ka probleme për t’u zhvilluar në të gjitha aspektet.
Si e kaloni kohën e lirë, kur nuk jeni në punë?
Më së shumti i kushtohem familjes. Kurrë nuk ka munguar puna me fëmijë, në të gjitha aspektet e më së shumti në shkollimin e tyre. Ky vend, si Zvicra, të jep mundësi fantastike për shkollimin e fëmive, por prindërit duhet më tepër të interesohen dhe të ndihmojnë fëmitë e tyre në përgatitje. Kohën e kalojmë edhe në aktivitete në Bashkësinë Islame këtu në Emmenbrücke. Jam edhe adhurues i madh i sportit, andaj edhe këtu kaloj kohë duke përcjellur ngjarjet sportive. Mundohemi që traditat kombëtare dhe fetare mos ti harrojmë, vizitat familjare, festat e ndryshme familjare e kështu me radhë.
Sa mendoni që ka arritur të integrohet gjenerata e re e diasporës shqiptare në shtetin ku ju jetoni e veproni?
Mendoj se rinia jonë, në 15 vitet e fundit, është shumë mirë e integruar. A ka nevojë ende më shumë? Sigurisht që po. Po vërehet se në të gjitha instucionet shtetërore zvicerane ka të rinj tanë që kryejnë punë me shumë sukses. Çka duhet të ceket, se rinia jonë është shumë e angazhuar me shumë sukses në të gjitha disiplinat sportive.
Sipas mendimit tuaj, për çfarë mbështetje konkrete të shteteve shqiptare ka nevojë urgjente diaspora shqiptare?
Prioritet i prioriteteve është ruajta e shkollës plotësuese shqipe (LAPSH), që fëmitë tanë ta mësojnë gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Të rritet numri i fëmijëve që vijojnë mësimin shqip.
Cili është kapitali juaj shpirtëror, të cilin keni arritur ta krijoni dhe me të cilin ndjeheni krenar?
Ndjehem shumë krenar që kam pasur mundësi të ndihmoj çështjen kombëtare për çlirimin nga okupatori serb. Ndjehem krenar që kemi mdihmuar familjen dhe përtej familjes, në vendlindje e më së shumti me angazhimin e shkollimin e fëmive.
A keni bërë plane se ku ti kaloni vitet pas pensionimit?
Pyetje, përgjegjen ndaj të cilës, për fat të keq, nuk mund ta jap atë që e dëshiroj. Kisha dëshirë në vendlindje, por pasi fëmijët jetojnë në Zvicër, do të mundohemi që gjysmën e kohës në vendlindje e gjysmën në Zvicër.
Cila është porosia juaj për gjeneratën e re të komunitetit shqiptar që po rritet në diasporë?
Porosia kryesore, mos ta harrojnë prejardhjen, të ruajnë traditat kombëtare dhe fetare, e kryesorja, të shkollohen sa më shumë që është e mundur, sepse Zvicra jep të gjitha mundësitë perfekte për shkollim. Me ngritje superiore të shkollimit të të rinjve tanë, edhe ne, si komunitet shqiptar, afirmohemi njëjtë me komunitetin zvicran e të tjerë.
I ke thënë vetes, ‘pse kam ardhur në mëgim’?
E thashë në fllim se për mua e për shumicën, për atë kohë ishte çështje ekonomike dhe politike, shumë të vështira në atë periudhë në Kosovë. Okupatori serb, prej vitit 1981 e pas, na mbylli, siç dihet, të gjitha rrugët që të jetojmë me dinjitet, por okupimin nuk e pranuam kurrë deri në pavarësinë de nitive nga kthetrat e okupatorit serb.
Mendoni se të kanë shkuar shumë vite, duke menduar se një ditë do të kthehesh në atdhe?
Po, shumë e vërtetë, por është një fenomen që duhet të studjohet mirë. Deri sa ishim në okupim, komuniteti shqiptar nuk ka pasur tjetër temë, por vetëm se kur do të kthehemi në vendlindje, kurse pas pavarësisë së Kosovës, askush thuajse nuk mendon të kthehet. Mendoj që klasa politike ka dështuar në udhëheqjen e shtetit me dinjitet, por këta ishin vetëm për çështjet personale dhe familjare, e aspak për popullin e diasporën, për fat të keq. Këta na kanë përbuzur si diasporë dhe vështirë se do të shohin të mira.
Çka kujtoni më së shumti nga atdheu?
Prej moshës 23 vjeçare jam larguar nga vendlindja. Kujtoj gjithçka. Në kohën tonë ka pasur vlerë gjithçka e posaçërisht njeriu, që sot na mungon shumë.
Si ishte jeta e mërgimit më herët dhe si është sot, apo cila periudhë për ju është më e mirë, ajo më e hershmja, apo kjo?
Jo, periudha e tashme është shumë më e lehtë në çdo aspekt. Koha jonë, kur kemi ardhur në vitin 1986, ka qenë tepër e vështirë. Nuk e kemi ditur gjuhën, komunikimin me familjen, unë e kamë mbërritur me letra, e ato letra, besoni, i kam lexuar deri tri herë, duke menduar mos po del edhe diçka, por jo, ishte vetëm ai test. Unë e them shpesh, dhjetë vitet e para në mërgim ishim varfënjakë në Zvicër, sepse kushtet në familje, në vendlindje, ishin shumë të rënda e mundoheshim gjithçka të kontibuojmë për familje dhe çështjen kombëtare, duke e lënë veten bukur keq.
Çka nuk i falë vetes?
Nuk ka pa gabime, ndoshta ishte shumë e vështirë, por nuk ia fali vetës, u deshtë diçka të isha munduar me u shkollu këtu në Zvicër por kushtet nuk kanë lejuar për fat të keq.
Gjatë gjithë kësaj kohe sa jeni në mërgim, keni tuar më shumë apo keni humbur?
Pyetje shumë e vështirë, duke llogaritur kontributin për familjen dhe vendlindjen, ndoshta ekonimikisht kemi tuar, por kemi humbur rininë ose kohën më të mirë të jetës në vend të huaj. Kjo është brengë që nuk shuhet kurrë.
Mendoni se edhe në të ardhmen, gjeneratat e reja që jetojnë e veprojnë në Zvicër, nuk do ta harrojnë gjuhën shqipe?
Mendoj, se me teknologjinë që e mbrritëm në këtë kohë, me këto rrjetet sociale, ka ndikuar shumë që të rinjtë tanë të jenë të lidhur shumë me vendlindje e njëkohsisht të forcojnë edhe gjuhën shqipe, por me shpresë që edhe shteti jonë, sa më shpejt të intervenojë në hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe këtu në mërgim.
Sikurse të ishte e mundur që të vije edhe njëherë prej fillimit në mërgim, çka kishe bërë ditën e parë?
Normal, gjetjen e një vendi të punës, e menjëherë në mësimin e gjuhës gjermane (kurseve të gjuhës gjermane), paralel me punën, që atë kohë nuk e kemi bërë Me mësimin e gjuhës edhe mundësinë që ka për shkollim, këtë gjithqysh do ta kisha bërë.
Për fund të kësaj interviste, ku kishe dashur të pije pikën e fundit të ujit të kësaj bote?
Thuhet, aty ku jeton, aty edhe të gjenë vdekja, por kisha dëshiruar të kem fatin që pikën e fundit të ujit ta kisha pirë aty ku u linda, aty ku zemra rrahë më ndryshe.
( Intervista është pjesë edhe e librit „Atdheu Portativ“ e autorit PhD.Dashnim HEBIBI)