/ Intervistoi: PhD. Dashnim HEBIBI
Intervistë me studjuesin dhe publicistin, Blerim Ramadani
“Është detyrim moral i studjuesve të ndryshëm dhe shoqërisë që të vendosim figurën e Tefik Ramadanit aty ku e ka vendin në mesin e intelektualëve dhe në mesin e patriotëve të mëdhenj, si dhe opozitar i përbetuar i sistemit komunist. Duhet të njohim meritat dhe veprat e të gjithë atyre që kontribuan dhe sakrifikuan jetët e tyre që ne të jetojmë të lirë”, na tha ndër të tjera z.Ramadani.
Përshëndetje z. Ramadani. Ju falenderoj për kohën që po ndani për këtë intervistë! Ju uroj vitin e ri, shëndet dhe suksese! Kanë mbetur edhe disa ditë deri te promovimi i librit tuaj “Në mes Lavdisë dhe Harresës” kushtuar jetës dhe veprës së atdhetarit, mësuesit dhe intelektualit Tefik Ramadani. Na tregoni më hollësisht se kur do të mbahet, ku dhe nga kush do të organizohet ky prezentim-promovim libri?
Sipas planifikimit nga organizatori, prezantimi i librit të lartëpërmendur do të mbahet ditën e diell, më datë 26 janar 2025, në Mehrzëeckhalle Mülimatt, Mülistrasse 8 në Pfaffnau, në ora 15:00 pas dite.
E keni promovuar në Maqedoni të Veriut?
Jo, monografia në fjalë do të prezantohet dhe promovohet para audiencës dhe mërgimtarëve tanë për herë të parë në Zvicër.
Pse e zgjodhët Zvicën që të promovoni?
Të jem i sinqertë, motivi që zgjodha Zvicrën për të promovuar librin, vjen për dy arsye. E para, kjo ishte dëshirë e disa mërgimtarëve, të cilët mbështetën dhe financuan botimin e librit. E dyta, vet Tefik Ramadani, në vitet 1980-‘81 me protestat e Kosovës, vendoset përsëri në listën e survejimit shtetëror si pjesmarrës direkt në këto protesta dhe për arsye të sigurisë detyrohet të migrojë dhe jetojë në Zvicër për disa vite.
Nga kush morët mbështetjen më të madhe që të shohë dritën ky libër?
Sa i përket mbështetjes për botimin e monografisë, dua të shfrytëzoj rastin që të falenderoj Shoqatën e të Përndjekurve dhe të Persekutuarve Politikë Shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe mërgimtarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër dhe Amerikë, pa mbështetjen e të cilëve, botimi i librit nuk do të ishte i mundur, të cilët dua t’i falënderoj publikisht.
Me familjen e të ndjerit, keni kontakte dhe keni marrë mbështetje rreth materialeve?
Jam shumë i kënaqur nga bashkëpunimi me familjen e të ndjerit. Kam qenë në kontakte të vazhdueshme. Ata më kanë furnizuar me materiale, histori, fotografi si dhe ma kanë dorëzuar plotësisht dosjen e tij, për ta shqyrtuar dhe analizuar, dosje shtetërore nga periudha e sistemit socialist, e cila është shumë voluminoze, me 500 faqe.
Cili është mesazhi i librit, apo përmbajtja e monografisë?
Libri është një studim gjithëpërfshirës dhe ndër hulumtimet më serioze që i kushtohet personalitetit dhe veprës së Tefik Ramadanit, figurën e të cilit jam munduar ta trajtoj në aspektin shumëdimensional të tij, si intelektual, patriot, veprimtar, poet dhe atdhetar i devotshëm. Është detyrim moral i studjuesve të ndryshëm dhe shoqërisë që të vendosim figurën e Tefik Ramadanit aty ku e ka vendin në mesin e intelektualëve dhe në mesin e patriotëve të mëdhenj, si dhe opozitar i përbetuar i sistemit komunist. Duhet të njohim meritat dhe veprat e të gjithë atyre që kontribuan dhe sakrifikuan jetët e tyre që ne të jetojmë të lirë.
Pa dyshim se ju ka marrë shumë kohë, apo i keni kushtuar shumë kohë përgatitjes së kësaj monografie. E keni menduar të jetë me vazhdime apo e keni rrumbullakësuar me një libër?
Rreth këtij personaliteti jam duke punuar dhe hulumtuar, pothuajse për një periudhë 1 vjeçare. Asnjë autor, asnjëherë nuk duhet të thotë se duhet të rrubullakësojë një hulumtim, për arsye se mund të na shfaqen në të ardhmen fakte të dokumentuara, këndvështrime dhe rrethana të reja rreth objektit hulumtues dhe kjo automatikisht na detyron dhe obligon të riformulojmë dhe të ndryshojmë qasjen hulumtuese.
Si është pritur nga bashkëkombësit tanë në Maqedoni të Veriut?
Ka pasur kritika pozitive nga shumë njerëz veprimtarë të ndryshëm dhe bashkëpuntorë të Tefik Ramadanit, të cilët e kanë mirëpritur këtë monografi me shumë kënaqësi dhe entuziazëm. Kam pasur pyetje nga më të ndryshmet. Të gjithë kanë qenë kurreshtarë të dinë më shumë për librin dhe të gjithë kanë dashur që të kenë një kopje të dorëshkrimit në arkivin e tyre familjar.
A po na mungojnë vepra të tilla kushtuar atdhetarëve që kanë shkrirë jetën për çështjen kombëtare?
Siç u shpreha më lart, për fat të keq, ka ardhur koha që të njohim meritat dhe veprat e patriotëve të periudhës komuniste dhe në këtë drejtim nuk është bërë mjaftueshëm. Shtrohet pyetja a jemi duke mbajtur amanetin? A duhet të vijnë gjenerata të reja dhe sa kohë duhet të kalojë që Tefik Ramadani dhe patriotë të tjerë të ketë vlerësimin dhe vendin e merituar në historinë e lavdishme shqiptare! Thënia e Calvin Coolidge që unë e kam cituar në fillim të librit, jo rastësisht që “Kombi që harron ata që e mbrojtën, do të mbetet vet i harruar”.
Do ta promovoni edhe në ShBA?
Të jem i sinqertë me ju, nuk e kam menduar këtë pjesë. Por, pas pyetjes suaj, besoj që këtë do ta analizoj me bashkëpuntorët e mi, kuptohet pas promovimit në Zvicër dhe nëse ka interes, atëherë do t’i shqyrtojmë mundësitë që na jipen.
Pse ose çka ju shtyri që të përgatisni këtë monografi?
Figura e Tefik Ramadanit, gjithmonë ka qenë një enigmë për shkak se ishte një natyrë modeste dhe nuk është që ishte mburrur me veprimtarinë e tij patriotike dhe konspirative. E gjithë kjo e bënte të vështirë shtjellimin e objektit hulumtues. Mbi të gjitha është e rëndësishme që të njihen vlerat dhe meritat reale të kësaj figure si i burgosur politik. Shumë me rëndësi është të mos harrohen disa personalitete që ndoshta nuk ka palë të interesuara politike direkte që të nxisin apo të “sponsorizojnë” në njohjen dhe evidentimin e vlerave dhe kontributeve te tyre. Personazhit jam munduar që t’i jap rolin dhe vendin e merituar në historinë shqiptare.
Sikur të ishte gjallë fizikisht protagonisti i këtij libri, pra i ndjeri z. Tefik Ramadani, çka do ta kishit pyetur diça që i mungon këtij libri?
Megjithatë, në kohët e diktaturës, nuk besoj që do t’i kishte shkuar ndër mend se do të vinte një ditë, kur edhe ai vet do të ishte “kthyer” në një libër. Duke e njohur karakterin e tij të fortë dhe duke e njohur modestinë e tij, nuk është që fliste shumë. Nuk krenohej aspak me veten. Nuk i përulej askujt. Kjo e bënte të vështirë nxjerrjen e informacioneve dhe dëshmive nga periudha diktatoriale. Ndoshta është dashur sa ishte gjallë të realizoheshin më shumë intervista rreth veprimtarisë së tij dhe të njejtat të ruheshin në libër.
Për fund të kësaj interviste, a do të na thoni fjalën e pa shkruar në libër e që do të donit ta kishit të shkruar edhe në libër?
Siç e thashë, do të doja të kisha realizuar një intervistë të plotë të drejtëpërdrejtë me të rreth veprimtarisë së tij konspirative, sipas pyetjeve dhe metodologjisë sime hulumtuese që nga viti 1958 deri në 1990, të cilën nuk e realizova kurrë për arsyet e lartpërmendura. Tefik Ramadani ishte figurë që nuk mburrej asnjëherë. Kishte momente që i parashtronin pyetje rreth jetës në burgun e Idrizovës, shpesh përgjigjej me fjalët “…e shkuar e harruar, duhet të shohim të ardhmen…”. Madhështia e tij qëndron në atë se ai i fali, sa ishte gjallë, të gjithë bashkëpunëtorët dhe tradhtarët e sistemit komunist.
Ju falënderojmë edhe njëherë dhe suksese të tjera.
Ishte nder dhe kënaqësi edhe për mua që të kem një intervistë me Ju z.Hebibi. Ju uroj edhe juve punë të mbrarë dhe respekt për punën e madhe që e ke bërë dhe që po e bënë edhe ate shumë larg atdheut fizikisht. Përshëndes të gjithë mërgimtarët kudo që janë dhe i ftoj që të jenë pjesë e promovimit të librit-monografisë.
helveticALforum.ch