/ Nga Ardita Sinani, kryetare e Komunës së Preshevës /
Shteti serb po vazhdon politikën e tij diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke bllokuar ndihmat ekonomike dhe duke ndërhyrë drejtpërdrejt në institucionet shqiptare. Vendimi i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social për të shfuqizuar subvencionet për fermerët shqiptarë, të financuara nga Qeveria e Kosovës, është një akt armiqësor i qartë, që synon izolimin ekonomik dhe varfërimin e qëllimshëm të qytetarëve tanë.
Po aq shqetësues është edhe sabotimi institucional i Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke refuzuar regjistrimin e kryetarit të tij të ri, Enkel Rexhepi, me pretekste burokratike. Kjo është një përpjekje për të paralizuar përfaqësimin politik të shqiptarëve dhe për të mbajtur institucionet tona nën kontrollin e Beogradit.
Këto veprime janë pjesë e një strategjie më të gjerë të shtetit serb për të dobësuar shqiptarët në çdo aspekt – nga pasivizimi i adresave e deri te përjashtimi nga vendimmarrja institucionale.
Serbia as nuk ndihmon shqiptarët e Luginës, as nuk lejon që ata të ndihmohen nga Kosova apo partnerë ndërkombëtarë.
Si Kryetare e Komunës së Preshevës, e dënoj ashpër këtë diskriminim dhe kërkoj reagim të menjëhershëm nga institucionet ndërkombëtare.
Kjo situatë është një test për vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut në rajon. Shqiptarët e Luginës nuk do të nënshtrohen – ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona dhe për një të ardhme ku nuk do të trajtohemi si qytetarë të dorës së dytë në vendin tonë!